Kosova hap objektin e përhershëm të ambasadës në Londër

Republika e Kosovës ka shënuar një moment të rëndësishëm diplomatik me hapjen e objektit të përhershëm të Ambasadës së saj në Londër, duke forcuar më tej praninë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Londër, e cila e cilësoi këtë si një ditë të veçantë për Kosovën dhe një moment historik që pasqyron forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas ambasadës, objekti i ri, i vendosur në adresën 9 Orme Court, London W2 4RL, do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për përfaqësimin e interesave të Kosovës dhe si një urë më e fortë bashkëpunimi, miqësie dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve.
Hapja e shtëpisë së përhershme të Ambasadës së Kosovës në Londër konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve diplomatike dhe në forcimin e pranisë së shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Kosovapress

