Kurti: Trusti arrin rekord historik/ 312 milionë euro kthim nga investimet në gjashtë muajt e parë të 2026-s

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka shënuar rezultatin më të lartë investues në historinë e tij gjatë një gjysmëviti.
Sipas Kurtit, nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, Trusti ka realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke vendosur një rekord të ri.
Ai bëri të ditur se nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, kthimi i përgjithshëm bruto nga investimet ka arritur në rreth 956 milionë euro.
Sipas të dhënave të publikuara nga Kurti, Trusti ka regjistruar:
88 milionë euro kthim në vitin 2023;
247 milionë euro në vitin 2024;
309 milionë euro në vitin 2025;
312 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si lajm të mirë për qindra mijëra kontribuues, duke theksuar se fondet pensionale menaxhohen me synim garantimin e sigurisë financiare afatgjatë.
Ai ka vlerësuar punën e Bordit, menaxhmentit dhe stafit të Trustit, ndërsa bëri të ditur se vlera totale e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në 4 miliardë e 245 milionë euro.
Kryeministri në detyrë shtoi se qeveria do të vijojë përmirësimin e kuadrit ligjor, duke respektuar pavarësinë e Trustit dhe duke synuar menaxhim të sigurt e transparent të kursimeve pensionale.


