Kriza politike në Kosovë, Bytyçi: Kompromisi mes partive, çelësi për daljen nga kriza politike në Kosovë!

Kriza politike në Kosovë mund të zgjidhet vetëm përmes kompromisit mes partive politike. Kështu u shpreh analisti dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, në një intervistë për Ora News, ku paralajmëroi se zvarritja e krijimit të institucioneve mund të sjellë presion të shtuar nga Bashkimi Europian.

Bytyçi theksoi se negociatat për formimin e qeverisë ende nuk kanë nisur, ndaj është e vështirë të përcaktohet se ku qëndron pengesa kryesore. Ai kujtoi se për krijimin e qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvend, ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhet të sigurohet kuorumi prej të paktën 80 deputetësh.

Sipas tij, mbetet e paqartë se cila forcë politike do të jetë e gatshme për të arritur një marrëveshje, qoftë edhe vetëm për të garantuar kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri. Bytyçi vlerësoi se si PDK-ja ashtu edhe LDK-ja mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje të mundshme, megjithëse gjasat duken më të mëdha për një bashkëpunim me LDK-në.

Analisti paralajmëroi gjithashtu se Bashkimi Europian pret angazhimin e institucioneve të Kosovës në çështje të rëndësishme, përfshirë dialogun me Serbinë. Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme mund të rrisë presionin ndërkombëtar dhe të thellojë krizën institucionale, sidomos nëse vendi detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje.

Duke folur për postin e presidentit, Bytyçi tha se në rast të një marrëveshjeje politike, kandidati mund të vijë nga çdo subjekt politik apo edhe nga shoqëria civile. Ai kujtoi se Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur më herët preferencë për figura të shoqërisë civile, veçanërisht gra të angazhuara në çështje sociale dhe të viktimave të luftës.

Në përfundim, Bytyçi u shpreh optimist se partitë politike mund të tregojnë më shumë gatishmëri për kompromis, duke marrë parasysh lodhjen e qytetarëve nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe nevojën për të siguruar funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.

Seb Bytyçi: Negociatat nuk kanë filluar, kështu që është e vështirë të thuhet se ku është pengesa saktësisht. Siç dihet, për themelimin e qeverisë nevojiten 61 deputetë nga 120 sa janë, kurse për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën të jenë në sallë për kuorum 80 deputetë.

Kështu që tash pyetja është se cila parti do të mund të bëjë ndonjë marrëveshje, edhe nëse jo koalicion qeverisës, që të paktën të ofrojë kuorum që me 61 deputetë të zgjidhet edhe presidenti i ri. Ka spekulime të ndryshme, domethënë secila parti mund të jetë ajo më e gatshmja për marrëveshje. Siç dihet, partia kryesore në opozitë është PDK-ja që ka më së shumti mandate.

Pastaj vjen LDK-ja me 16 mandate. Por, të dyja këto parti mund të jenë, domethënë, si opsione që mund të arrijnë marrëveshje. Më shumë gjasat janë për LDK-në, por mbetet të shihet.
 Tani jemi në një presion të ndërkombëtarëve, sidomos nga BE-ja që po pret që të angazhohet më ngushtë me Kosovën për çështje të ndryshme. Duke përfshirë dialogun, besoj se nëse ka vonesa të mëtejshme do të ketë presion më të madh kryesisht nga Bashkimi Europian.

Pastaj natyrisht mund të shkaktohen dhe probleme tjera me funksionimin e institucioneve, nëse  rrezikohet prapë  që të shkohet në zgjedhje edhe njëherë. Domethënë do të ishte një fazë e tepruar e krizës institucionale. Shpresoj që partitë mund të bëjnë një marrëveshje dhe të mos shkohet përsëri në zgjedhje. Ndoshta ka një gatishmëri më të madhe për kompromis pas përsëritjes së krizave dhe pas këtyre zgjedhjeve ku në një farë mënyre të gjitha partitë janë  të refuzuara apo janë goditur nga votuesit.  Kjo sepse ka pasur një dalje më të ulët në zgjedhje dhe ka shenja që ka një lodhje me zgjedhjet te votuesit.
Po cili do për shembull mund të jetë president nëse arrin domethënë 80 vota ose 61 vota me 80 vota fuorum. Dhe ai mund të jetë edhe nga parti të tjera, nëse pajtohet Vetëvendosja natyrisht. Domethënë nëse ka një marrëveshje, atëherë mund të jetë nga cilado parti.

Deri më tani qasja e Vetëvendosjes është që të jetë dikush për shembull nga shoqëria civile, ose i kemi parë disa kandidatë që kanë qenë zakonisht gra që janë përfshirë në shoqërinë civile ose kanë punuar me viktimat e luftës. Dhe PDK-ja dhe LDK-ja i kanë kandidatët e tyre të propozuar, mirëpo sigurisht se për të arritur një marrëveshje duhet një kompromis dhe ndoshta mund të gjendet një emër që është i pajtueshëm për të gjitha partitë apo të paktën dy tri parti dhe ajo të shkohet përpara.

EMISIONET