ÇIPAT NDEZIN TREGJET! Rezultatet e Micron rikthejnë vrullin e AI-së! Kërkesa për memoriet rrit aksionet nga Azia në Evropë

Aksionet e kompanive të çipave u rritën ndjeshëm në tregjet globale pas rezultateve rekord të Mikron Technology, duke rikthyer optimizmin për sektorin e inteligjencës artificiale. Investitorët reaguan pozitivisht ndaj pritshmërive për kërkesë të lartë, teksa rritja preku kompanitë kryesore në Europë dhe Azi, duke forcuar bindjen se bumi i inteligjencës artificiale vazhdon.

ÇIPAT NDEZIN TREGJET! Rezultatet e Micron rikthejnë vrullin e

Tregjet globale të teknologjisë u përfshinë nga një valë rritjesh pasi rezultatet financiare të Micron Technology tejkaluan pritshmëritë e analistëve dhe rikthyen interesin e investitorëve ndaj sektorit të çipave.

Kompania amerikane, një nga furnizueset kryesore të memorieve për sistemet e inteligjencës artificiale, deklaroi se pret fitime dhe të ardhura më të larta se parashikimet, ndërsa bëri të ditur se klientët kanë siguruar paraprakisht furnizime me vlerë rreth 22 miliardë dollarë.

Ky zhvillim ndikoi menjëherë në tregjet europiane, ku kompanitë e sektorit të gjysmëpërçuesve regjistruan rritje të ndjeshme. ASML, prodhuesi holandez i pajisjeve për prodhimin e çipave, u rrit me mbi 4 për qind, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të ditëve të fundit.

Edhe kompani të tjera europiane si Infineon Technologies, STMicroelectronics dhe ASM International patën rritje të forta, duke mbështetur indekset kryesore të bursave.

Në Azi, tregu i Koresë së Jugut reagoi gjithashtu pozitivisht, me indeksin KOSPI që u rrit mbi 5 për qind. Prodhuesit gjigantë të çipave Samsung Electronics dhe SK Hynix shënuan fitime të mëdha në bursë, falë pritshmërive për një rritje të mëtejshme të kërkesës për teknologjinë AI.

Analistët vlerësojnë se mungesa e çipave të memories është shkaktuar kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe se kjo kërkesë pritet të vazhdojë.

Ndërkohë, rritja e vlerës së kompanive aziatike të sektorit ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat në treg. Samsung dhe SK Hynix kanë kaluar së bashku vlerën e 1 trilion dollarëve në kapitalizim, duke u kthyer në disa prej emrave më të rëndësishëm të ekonomisë globale të teknologjisë.

Investitorët tashmë presin të shohin nëse vala e inteligjencës artificiale do të vazhdojë të ushqejë rritjen e industrisë së çipave apo nëse tregu do të përballet me një korrigjim pas fitimeve të mëdha.

EMISIONET