BSH: Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arrijnë 172 milionë euro, rritje me 65%

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke u bërë një nga komponentët kryesorë të investimeve të huaja direkte në Shqipëri.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën në 172 milionë euro, me një rritje prej 65% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky sektor përbën rreth 43% të totalit të investimeve të huaja direkte, duke shënuar nivelin më të lartë historik në strukturën e tyre.
Banka e Shqipërisë thekson se që prej vitit 2022 investimet në prona kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte, të ndikuara nga rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme pas pandemisë.
Referuar vrojtimeve, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, rreth 25% e banesave të shitura janë blerë nga shtetas jorezidentë, ndërsa 52% e tyre rezultojnë shtetas të vendeve të Bashkimit Europian.
Në fund të tremujorit të parë, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme ka arritur në rreth 2,83 miliardë euro.

