Muzika country frymëzon Harry Kane

Muzika country frymëzon Harry Kane

Mbrojtësi i përfaqësueses angleze, Dan Burn zbuloi se Harry Kane po e frymëzon Anglinë në përpjekjen e saj për të fituar Kupën e Botës me një listë këngësh country.

Kane foli për pëlqimin e tij ndaj mënyrës se si tifozët kënduan hitin e Oasis, “Wonderwall”, pas fitores së parë ndaj Kroacisë, por janë ritmet e Nashville-it ato që e motivojnë kapitenin anglez.

Mbrojtësi Burn tregoi se Kane është një adhurues i madh i muzikës country moderne dhe se lista muzikore e zgjedhur prej tij për ekipin përfshinte artistët Morgan Wallen, Dylan Gossett, Zach Bryan, Luke Bryan, “The Band Perry”, Wyatt Flores, Kane Brown dhe Luke Combs.

Kane, Burn dhe portieri i stërvitjes Jason Steele shkuan gjithashtu për të ndjekur një koncert të Ella Langley në periferi të Kansas City, ku mbrojtësi i Newcastle u vesh me një stil të plotë kaubojs.

“Ishte një ditë për miqtë dhe familjen, kështu që bashkëshortja ime erdhi me avion nga Dallasi dhe kaluam ditën së bashku”, tha Burn.

“Më pas, në mbrëmje, Ella Langley kishte koncert. Më pëlqen muzika country, ndaj kisha veshur një kapele kaubojsi dhe çizme kaubojsi, dhe për fat të mirë nuk ka foto që qarkullojnë. U vesha siç duhet. Nëse do ta bësh, bëje tamam. Kalova shumë mirë, sepse Ella është një artiste e mrekullueshme country dhe ishte bukur të kishim mundësinë të bënim gjëra të tilla”, shtoi Burn.

“Steelly ishte me ne dhe Harry gjithashtu. Harry është vërtet fans. E di që është. Kemi një magnetofon në hotel dhe kur ai bëri përzgjedhjen e kapitenit, një pjesë e madhe e muzikës ishte country”, vazhdoi Burn

“Ella po performonte në West Palm Beach kur ne ishim atje, por nuk do të kishim mundur të ktheheshim në kohë për orën e ndaluar, ndaj jam i lumtur që patëm një mundësi tjetër”, përfundoi ai.

EMISIONET