KQZ certifikon sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit/ Hapet rruga për formimin e institucioneve

KQZ certifikon sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të certifikojë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor pas shqyrtimit të të gjitha ankesave në institucionet e drejtësisë.

Mbledhja e KQZ-së është planifikuar të nisë në orën 11:00 dhe vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shqyrtuar ankesat e paraqitura lidhur me procesin zgjedhor.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se certifikimi i rezultateve është pika kryesore e rendit të ditës.

"Ju njoftoj se të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion", deklaroi Elezi.

Me certifikimin e rezultateve përfundimtare, procesi zgjedhor konsiderohet i mbyllur edhe në aspektin ligjor, duke i hapur rrugë fazës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, mandatimit të deputetëve dhe nisjes së procedurave për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Vendimi i sotëm i KQZ-së pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në përmbylljen e procesit zgjedhor dhe në vijimin e procedurave kushtetuese për krijimin e qeverisë së re.

 

EMISIONET