Kosovë/ KQZ pret vendimin e Gjykatës Supreme për ankesat, certifikimi i zgjedhjeve varet nga epilogu i procesit

Kosovë/ KQZ pret vendimin e Gjykatës Supreme për ankesat,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës është në pritje të vendimit të Gjykata Supreme e Kosovës lidhur me ankesat e paraqitura ndaj rezultateve të zgjedhjeve të shpallura më 27 qershor. Certifikimi përfundimtar i rezultateve do të varet nga vendimi që do të merret nga ky institucion.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nëse vendimet e Gjykatës Supreme nuk përmbajnë detyrime të reja për KQZ-në, atëherë institucioni mund të vijojë me procedurën e certifikimit të rezultateve.

"Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht dhe më pas do të procedohet me certifikimin", është shprehur Elezi.

Ndërkohë, njohësi i proceseve zgjedhore, profesori Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se kërkesat për rinumërimin e të gjitha votave të një subjekti politik nuk janë të nevojshme, pasi sipas tij procesi i verifikimit është kryer nga institucionet përgjegjëse në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike.

Sipas Baraliut, zvarritja e procesit po vonon pa arsye certifikimin e rezultateve dhe krijimin e institucioneve të reja.

"Mendoj që futja në një proces të rinumërimit të të gjitha qindra mijëra votave të një subjekti politik është diçka që nuk ka nevojë, sepse ato janë verifikuar. Të gjitha votat janë kontrolluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nga zyrtarët kompetentë dhe në prani të përfaqësuesve të të gjitha subjekteve politike", ka deklaruar ai.

Ai i bëri thirrje Gjykatës Supreme që të përfundojë sa më shpejt shqyrtimin e ankesave, në mënyrë që KQZ-së t’i hapet rruga për certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja.

Procesi i certifikimit mbetet një hap i rëndësishëm pas zgjedhjeve, ndërsa vendimi i Gjykatës Supreme pritet të përcaktojë nëse do të ketë procedura shtesë apo nëse rezultatet do të mund të miratohen përfundimisht.

EMISIONET