Pesë vite nga tëmeti në Itali që shkaktoi 300 viktima, mes tyre ishte dhe shqiptari Erjon Toro

Italia kujtoi të martën tragjedinë e tërmetit që goditi Italinë qendrore me epiqendër në afërsi të qytezës së Amatrices dhe që shkaktoi rreth 300 viktima.
Në ora 3:36 minuta të mëngjesit duke u gdhirë 24 gushti 2016, një lëkundje sizmike e shkallës 6.00, goditi fort Italinë qendrore e veçanërisht rajonet Lazio e Marche.
Tre komuna Amatrice, Arquata del Tronto e Açumoli u rrafshuan gati plotësisht. Në Amatrice u regjistruan 237 vitkima, në Arquata 51 viktima e në Açumoli 11 viktima.
Gjithcka ndodhi duke u gdhirë mëngjesi i një dite në mes të sezonit turistik të verës, e këto komuna të vogla ishin populluar nga turistë të shumtë e nga banorë që në këto qyteza kanë shtëpitë e tyre të verës.
Mes viktimave ishte dhe shqiptari Erjon Toro, baba i dy fëmijëve që në atë kohë ishin 5 e 3 vjeccarw. Prej disa vitesh familja shqiptare jetonte në komunën e Amatrices e gjatë tërmetit mbetën të plagosur dhe bashkëshortja e dy vajzat.
Në këtë përvjetor të pestë të tragjedisë, Kryeministri italian Mario Draghi ka mbërritur në qytezën e Amatrices që u bë simbol i dhimbjes së kësaj tragjedie. Ai ka zhvilluar një takim privat me familjarët e viktimave. Ka vendosur një kurorë lulesh në monumentin e viktimave e më pas ka marrë pjesë në meshën në kujtim të tyre mbajtur nga Arqipeshkopi i Rietit.
Komuna e Amtrices, simbol i kësaj dhimbjeje, ka shpallur ditë zie kombëtare e të gjitha aktivitetet tregare përveçfarmacive janë mbyllur. Rregullat anti Covid nuk lejojnë marshimin e heshtur qytetar në rrugët e qytetit, por banorët do të nderojnë kujtimin e viktimave me lutje e qirinj të ndezur pranë momunentit të tyre.
Tërmeti i 24 gushtit shënoi një numër mjaft të lartë viktimash e personash të plagosur, por dhe shkatërrimin e banesave, ndërtesave publike, shkollave, objekteve e pasurive artistike e kulturore të Italisë qendrore .
Pesë vite më pas, punimet për rindërtimin e qytezave të shkatërruar regjistrojnë vonesa të mëdha. Janë autorizuar e financuar mbi 10 mijë kantiere, 5 mijë prej të cilave kanë përfunduar duke bërë të mundur ndërtimin e 12 mijë banesave të reja e strehimin e familjeve të mbetura pa strehë. Ndërsa13 mijë banesa të tjera janë në ndërtim e sipër.
Një sfidë e madhe është ndërtimi i veprave publike; rrugë, shkolla, spitale, qendra institucionale, objekte historike. Aktualisht janë 1400 kantiera publike të hapura e së shpejti pritet të nis programi me vlerë 49 milionë euro për rindërtimin e qendrës historike të Amatrices ku ka mbërritur dhe vinçi i parë.


