Alarm për arsimin në Kosovë/ Djemtë po i kthejnë shpinën universiteteve, eksperti ngre alarmin për tregun e punës

Alarm për arsimin në Kosovë/  Djemtë po i kthejnë

Interesimi për studimet universitare në Kosovë po bie, veçanërisht te djemtë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se sistemi i arsimit të lartë nuk po ecën në hap me kërkesat e tregut të punës.

Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e analizave serioze për nevojat reale të ekonomisë, çka ka bërë që universitetet të vazhdojnë të prodhojnë profile për të cilat tregu nuk ka kërkesë.

Sipas tij, numri i studentëve që regjistrohen në degë si ekonomi dhe juridik është shumë më i lartë sesa nevojat reale të vendit.

“Vetë fakti që hapen kuota për mbi 1.100 studentë në ekonomi është teprim. Ekonomia e Kosovës nuk ka nevojë për kaq shumë ekonomistë çdo vit”, u shpreh Pupovci.

Ai thekson se rreth 30 për qind e studentëve studiojnë në fushën e biznesit, administrimit dhe ligjit, ndërsa shumë prej tyre përfundojnë duke punuar në profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht një diplomë universitare.

Sipas ekspertit, universitetet duhet të reformojnë programet mësimore dhe të ofrojnë profile më fleksibile, të orientuara drejt aftësive praktike dhe kërkesave reale të punëdhënësve.

Pupovci nënvizon se tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë shkathtësi praktike, komunikim dhe aftësi organizative, ndërsa punëdhënësit shpesh detyrohen të trajnojnë nga e para të diplomuarit.

Një tjetër fenomen shqetësues, sipas tij, është rënia e interesimit të djemve për universitetin. Ai vlerëson se afro 30 për qind e maturantëve meshkuj nuk i vazhdojnë studimet, pasi besojnë se me aftësitë e fituara në arsimin e mesëm mund të hyjnë direkt në tregun e punës.

Si pasojë, përbërja gjinore në universitetet e Kosovës ka ndryshuar ndjeshëm, ku mbi 60 për qind e studentëve janë tashmë vajza dhe gra.

Ekspertët kërkojnë që Ministria e Arsimit të rishikojë kuotat e pranimit dhe të ndërtojë politika që e lidhin më ngushtë arsimin e lartë me zhvillimin ekonomik dhe nevojat reale të tregut të punës./ RADIO EVROPA E LIRE

EMISIONET