Denoncimi i fortë i avokatit serb: Vuçiç ka angazhuar grupin Wagner në protestën e Beogradit

Denoncimi i fortë i avokatit serb: Vuçiç ka angazhuar grupin

Avokati Çedomir Stojkoviç ka treguar se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka angazhuar grupin paramilitar rus Wagner në protestën e Beogradit.

Stojkoviç me anë të reagimi në Twitter, ka theksuar se pjesëtarë të grupit ekstremist “Patrulla Popullore” janë parë në këtë protestë.

“Aleksandar Vuçiç angazhon grupin Wagner në protestën e Beogradit! Ilija Vuksanoviç, i cili ka sulmuar qytetarët në protestën e djeshme, është pjesëtar i pjesës serbe të grupit Wagner (dega e Patrullës Popullore), që ishte e pranishme gjatë gjithë protestës me qëllim që të shkaktonte incidente të dhunshme dhe vepruan në marrëveshje me SNS”, shkruan Stojkoviç.

Sipas tij, këta pjesëtarë kanë ardhur për të kompromentuar protestën. “Ata sollën tre flamuj propagandues rusë me idenë për të kompromentuar protestën, duke dërguar një imazh të rremë se Rusia qëndron pas protestës dhe se protestat janë të dhunshme, prandaj sulmuan qytetarët për të shkaktuar incidente”, shton ai.

Avokati nga Beogradi pohon se SNS-ja e Vuçiçit së bashku me Ambasadën e Federatës Ruse janë duke planifikuar incidente në protestën e radhës.

“Ka të dhëna se pjesa serbe e grupit Wagner, në bashkëpunim me SNS-në dhe Ambasadën e Federatës së Rusisë po planifikojnë incidente më të gjera në protestën e radhës. Grupi Wagner, SNS-ja dhe Ambasada po punojnë së bashku kundër protestave demokratike në Serbi”, pohon avokati.

“Ju kujtoj se në muajin shkurt, Aleksandar Vuçiç e ndaloi hetimin kundër grupit Wagner në Serbi, me të cilin padyshim bashkëpunon”, përfundon Stojkoviç.

Arsyeja për organizim të protestës në Beograd është zhgënjimi me reagimin e autoriteteve, pas dy vrasjeve masive që kanë ndodhur në Serbi, në muajin maj, në të cilat janë vrarë 18 persona.

Në mesin e kërkesave të protestueseve ka qenë dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiç dhe e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), Aleksandar Vulin.

Protestuesit po ashtu kanë kërkuar edhe zëvendësimin e trupit rregullativ për mediat elektronike (REM), mbylljen e tabloideve që sipas tyre, bëjnë thirrje për dhunë dhe për tërheqjen e frekuencave kombëtare për televizionet Pink dhe TV Happy.

wagner aleksandër vuçiç beogradi vuçiç

EMISIONET