Abazoviç në Kosovë, marrëveshje për shërbimet ajrore, zvogëlohet koha e fluturimit në 15 min
Kosova dhe Mali i Zi firmosën marrëveshjen për shkurtimin e korridoreve ajrore mes dy vendeve. Pakti u firmos gjatë vizitës së Kryeministrit në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Kosovë.
Kosova dhe Mali i Zi firmosën marrëveshjen për shërbime ajrore që mundëson shkurtimin e kohës së fluturimit për 15 minuta midis dy vendeve.
Deri më tani korridoret hyrëse dhe dalëse ekzistuese ndërmjet dy vendeve shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake të NATO-s.
Marrëveshja u nënshkrua mes kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç të cilët theksuan nevojën e saj për përmirësimin e atmosferës rajonale të bashkëpunimit në rrugën e BE-së.
Abazoviç: Të ardhmen tonë e shohim në Bashkim Evropian, e shohim në një familje të madhe evropiane. E vërteta është se duhet të kryejmë shumë detyra derisa të dy shtetet të bëhen anëtare të plotë. Por mendoj se Kosova dhe Mali i Zi vitin e kaluar kanë treguar se në dy sfida kryesore, me drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe tjetra me ekonomi kanë pasur shumë sukses. Unë e uroj kryeministrin të vazhdohet në këtë drejtim, ndoshta edhe më intensiv.
Abazoviç nënvizoi se nuk do të ndryshohet asnjë politikë ndaj kosovës pavarësisht ndërrimit të pushteteve në vendin e tij.
Abazoviç: Në Mal të Zi kanë ndodhur edhe disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshojë asnjë politikë ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogaritë në Mal të Zi dhe në ato që kanë me qenë aktivitetet ndërkombëtare të Kosovës në të ardhmen. Ne jemi të më se të gatshëm të përkrahim në kapacitet sa janë mundësitë tona.
Kryeministri i Kosovës mirëpriti edhe ratifikimin e marrëveshjeve nga Mali i Zi në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kurti: Na gëzon fakti që Mali i Zi i ka ratifikuar tri marrëveshjet e mobilitetit në Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Rregullat e Bashkimit Evropian, avancimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe forcimi i aleancës transatlantike janë qëndrim, qëllim dhe përkushtim i Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal.
Përgjatë vizitës zyrtare në Kosovë, kryeministri malazez u takua edhe me liderë të institucionalë dhe politikë, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e nderoi kryeministrin malazez me “Çelësin e Kryeqytetit”.