Sulm me dhjetëra dronë ndaj Moskës, tre viktima dhe pesë të plagosur. Rusia rrëzon 81 mjete ajrore

Një sulm me dhjetëra dronë ka goditur gjatë natës rajonin e Moskës, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve, njoftoi guvernatori i rajonit, Andrei Vorobyev.
Sipas tij, në fshatin Pionersky, në distriktin Istra, tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën pasi një dron u rrëzua në zonë. Ndërkohë, në Solnechnogorsk, dy persona mbetën të plagosur pasi një tjetër dron goditi një pallat banimi.
Vorobyev bëri të ditur se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithsej 81 dronë gjatë natës, duke shmangur dëme edhe më të mëdha.
Ndërkohë, në rajonin jugperëndimor të Stavropolit, guvernatori Vladimir Vladimirov raportoi se një tjetër “sulm me dron armik” u zmbraps nga forcat ruse. Sipas tij, një dron shkaktoi zjarr në një zonë industriale në fshatin Vyazniki, në distriktin Spakovsky, por nuk pati viktima.
Ukraina ka intensifikuar kohët e fundit sulmet me dronë ndaj territorit rus, duke synuar kryesisht objektet e infrastrukturës energjetike, me synimin për të dobësuar burimet që financojnë luftën e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.
Nga ana tjetër, Rusia vijon sulmet e përditshme ndaj territorit ukrainas. Konflikti, që ka hyrë në vitin e pestë, mbetet lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike ende nuk kanë sjellë rezultate konkrete.


