Vjedhja e Tiranës me "5D"-në/ A do ketë ''luftë'' edhe në Kuvend? Opozita protestë te bashkia dhe mosbindje civile në parlament
Mbahet sot protesta e radhës nga opozita, para bashkisë së Tiranës. Ashtu si edhe në herët e kaluara, protesta është parashikuar që të nisë në orën 11:00.
Prej kohësh opozita, proteston para bashkisë, në shenjë kundërshtie pas arrestimeve për dosjen 5D, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj të cilin e akuzojnë si të përfshirë në aferën ''5D'' si dhe tek inceneratori i Tiranës.
Ndërkaq, mbrëmje e djeshme edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës, të enjten e 30 tetorit që do të mbahet te Bashkia e Tiranës.
Teksa i bëri thirrje Ramës të ndalë terrorin ndaj opozitës, Berisha e paralajmëroi të mos veprojë siç ka bërë deri më sot me protestuesit, pasi nuk ka forcë që të mposhtë popullin e revoltuar.
"Provoje Edi Rama, gati jemi, i bindur të jesh ti, do të pësosh atë që ka pësuar babait yt, pas vdekuri. Ndalo terrorin mbi opozitën se, nuk ka forcë në botë që të mposhtë popullin e revoltuar.
Edi Rama të pa mbarë kombi se si u bëre meit i zbehtë në Nju Jork, se si do të bëhesh në Tiranë. Mjer ti, mjer ti, mjer ti.
Nesër në ora 11 të gjithë tek bashkia, kundër kryehajdutit të shpifur të Tiranës. Njeriu më të neveritshëm që është ulur ndonjëherë në zyrën e kryetarit të bashkisë. Një shpifaraku që turpëron njeriun, Erion Veliaj.
Nesër për zverku nxirret nga bashkia dhe varet në shtyllën e turpit të historisë. Erion mos mendo se do të shpëtosh. Asgjë në botë, nuk ka Duman, nuk ka Edvin, nuk ka Zaman, që të mbron ty, që të shpëton ty, nga populli i revoltuar i Tiranës.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë. Fitore, fitore, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!", tha Sali Berisha.
Sot seanca
Ndërkaq një orë para protestës, pritet të nisë edhe seanca plenare e cila me shumë gjasa do jetë e tensionuar. Kjo për shkak jo vetëm të përjashtimit të dhejtëra deputetëve nga punimet parlamentare por edhe pas arrestimeve të 16 deputetëve mbrëmjes së martës me akuzën e bllokimit të rrugëve në aksionin e tyre të mosbindjes civile ndaj qeverisë ''Rama''.
Ndërkohë në Kuvend pritet të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.
Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.



