VIDEO/ Mbërrin arkëmorti me trupin e ish-deputetit, Gerti Bogdanit në Kuvend

Ka nisur përgatitja e homazheve në Kuvend për ish-deputetin Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.

Në Parlamentin e Shqipërisë ka mbërritur arkmorti me trupin e pajetë të ish-deputetit demokrat.

Homazhet në Kuvend në nder të tij do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 12:00.

Më pas, Gerti Bogdani do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës.

Seanca parlamentare që ishte programuar të niste të enjten në orën 10:00 është shtyrë në orën 17:00.

Ndërkohë, Partia Demokratike njoftoi se në nder të Gert Bogdanit ka shpallur të enjten ditë zie dhe për rrjedhojë ka pezulluar të gjitha aktivitetet partiake në të gjithë vendin.

“Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024. Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD.

Bogdani ndërroi jetë në moshën 44 vjeçare pas një arresti kardiak.

EMISIONET