Sherr për radhën në Fushë Krujë, votuesi godet me grusht komisionerin e opozitës. Agron Loka: Rama në panik!
Dhunohet një komisioner i PD në qendrën 1302/01 në Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00.
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për kryetar bashkie, Agron Loka, tha se Rama është në panik.
"Incidenti është shumë i dhunshëm. Janë futur tre persona në Qendrën e Votimit dhe kanë marrë zvarrë një komisioner të opozitës dhe e kanë nxjerrë jashtë me shkelma. I ka kapur tmerri i humbjes. Ky është standardi i Edi Ramës".
Për ngjarjen raportoi edhe policia.
"Komisioni i Qendrës së Votimit 1302-1, KZAZ Nr. 20, Fushë Krujë, me vendimin numër 1, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi në këtë qendër votimi një shtetas (votues) ishte konfliktuar me një anëtar të Komisionit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit".
Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.