Ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për migrantët, Spiropali: Pjekuri për marrjen e përgjegjësive për sfida evropiane

Ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për migrantët,

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes me Italinë për migrantët  dëshmon pjekurinë në marrjen e përgjegjësive për sfida evropiane të përbashkëta si vend që synon integrimin e plotë brenda vitit 2030. Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali solli në vëmendje projektligjet dhe marrëveshjet e miratuara sot në seancë plenare.

“Sot në Kuvend ratifikuam Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, përmes së cilës Shqipëria i gjendet Italisë siç na është gjendur ajo shumë herë gjatë historisë sonë të trazuar, po dhe dëshmon pjekurinë tonë në marrjen e përgjegjësive për sfida evropiane të përbashkëta si vend që synon integrimin e plotë brenda vitit 2030”, tha ministrja.

Një tjetër projektligj i miratuar sot në Kuvend, sipas ministres, ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”.

Po ashtu Spiropali vlerësoi se miratimi i shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, përcjell vizionin dhe vullnetin për ta bërë Shqipërinë një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar.

“Kjo duke ruajtur progresin e bërë këtë dekadë për mbrojtjen e biodiversitetit, ku ndryshimet ligjore synojnë dhe garantojnë zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me natyrën tonë të mrekullueshme”, u shpreh ajo. 

EMISIONET