RAMA VIZITË NË PASHALIMAN/ Firmoset marrëveshja me gjigantin italian Fincantieri, do prodhohen anije ushtarake për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një vizitë në Vlorë, ku në Bazën Detare të Pashalimanit u finalizua marrëveshja për prodhimin e anijeve ushtarake në Shqipëri.
Projekti realizohet përmes bashkëpunimit mes një kompanie shqiptare dhe gjigantit italian të ndërtimit të anijeve, Fincantieri.
Marrëveshja u nënshkrua mes shoqërisë shqiptare KAYO sh.a. dhe kompanisë italiane Fincantieri.
Në bazë të saj, në Pashaliman do të prodhohen mjete lundruese, fillimisht për nevojat e Forcave të Armatosura shqiptare dhe më pas për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Projekti synon ta shndërrojë Pashalimanin në një qendër prodhimi të anijeve, duke zgjeruar aktivitetin e bazës përtej funksionit të saj ushtarak.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në muajin shtator pritet të nisin investimet në infrastrukturë, të cilat do të ndryshojnë tërësisht Bazën Detare të Pashalimanit. Përveç rolit të saj ushtarak, baza do të shërbejë edhe për ndërtimin e anijeve ushtarake për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar./shqiptarja.com


