Protesta që "zgjoi" qytetarët/ Qori: Ngjarja më e madhe në 35 vite, mund të ndryshojë historinë e vendit

Protestat masive që kanë përfshirë së fundmi sheshet dhe rrugët e Tiranës po cilësohen gjerësisht si ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme politike e 35 viteve të fundit në Shqipëri. Kjo lëvizje qytetare po dëshmon një shpërthim të jashtëzakonshëm të revoltës shoqërore kundër korrupsionit, padrejtësive dhe sistemit aktual politik.

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i cili u shpreh se pavarësisht frikës fillestare të shumë qytetarëve se kjo nismë mund të shuhej shpejt, e nxitur nga një e shkuar e gjatë zhgënjimesh me keqqeverisjen dhe manipulimin, pjesëmarrja e dhjetëra mijëra qytetarëve ka provuar të kundërtën. Entuziazmi dita-ditës po rritet, duke rikthyer shpresën për një shtet me institucione vërtet demokratike, të pastruara nga oligarkia. Lëvizja tanimë pritet të fuqizohet edhe më tej, me synimin e qartë për të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe një zhvillim të qëndrueshëm ku të mirat ndahen në mënyrë të barabartë.

" Edhe unë njëlloj si ju, edhe si besoj miliona shqiptarë në Shqipëri dhe nëpër botë, jemi të entuziazmuar nga kjo protestë.

Është ngjarja më e madhe, më e rëndësishme që ka ndodhur në 35 vitet e fundit në Shqipëri.

Është një shpërthim i revoltës shoqërore ndaj padrejtësive dhe korrupsionit dhe qeverisë kaq të korruptuar, dhe sistemit partiak kaq të korruptuar që kemi në fuqi.

Po është edhe bartës e një entuziazmi të madh e një shprese që Shqipëria mund të jetë krejt ndryshe nga pikëpamja e institucioneve që na qeverisin. Mund të jetë një vend vërtet demokratik, mund të jetë një vend pa korrupsion, pa oligarki.

Një vend ku zhvillimi është i qëndrueshëm dhe të mirat e zhvillimit shpërndahen tek të gjithë. Kështu që më lejo që të jem edhe unë i gëzuar dhe entuziast për atë që jo vetëm po shoh, po edhe po e përjetoj bashkë me dhjetëra mijëra të tjerë përditë në sheshet dhe rrugët e Tiranës.

E kuptoj frikën e qytetarëve dashamirës sepse ngjarje të tilla janë shumë të rralla në historinë e popullit tonë dhe ne duke u mësuar si të thuash, me keqqeverisjen, me shtypjen, me manipulimin, me shfrytëzimin, me vjedhjen, e me shumë diçka tjetër, duket sikur na kishte humbur dhe pak besimi se gjëra kaq të mëdha dhe të bukura mund të ndodhnin.

Mirëpo me të filluar ky varg protestash, unë menjëherë pata besimin që do të vazhdojë gjatë dhe do të fuqizohet, siç po ndodh dita-ditës, deri në arritjen e qëllimit që i bashkon të gjithë qytetarët në protestë dhe që vjen nga thirrja dominuese në protestë", u shpreh Qori.

Ndiqni intervistën e plotë:

EMISIONET