Policia, kallëzim në SPAK ndaj deputetëve të opozitës për dhunën në Parlament. Ja provat që dorëzuan
SPAK ka marrë në dorëzim dosjen e policisë për ngjarjet në sallën e parlamentit. Zjarri që iu vu letrave dhe tymueset janë bërë objekt i padisë që ka paraqitur Komisariati 1 në Tiranë. Po ashtu në denoncim është vendosur dhe zhvendosja e karrigeve
Komisariati një në Tiranë ka kërkuar në SPAK hetimin e ngjarjeve të ditëve të fundit në parlament. Fletët e ndezura në flakë të hënën dhe tymueset e dy ditëve të fundit janë mbledhur në cilësinë e provës.
Po ashtu, edhe pamjet e Kuvendit ku deputetët e opozitës mbledhin karriget duke i zhvendosur pranë foltores janë bërë pjesë e dosjes së paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Këto foto tregojnë efektivët pas përplasjeve të së enjtes, ku kanë bërë edhe ekspertizën mbi ngjarjet duke e konsideruar edhe sallën e parlamentit si skenë të ngjarjes.
Më herët ka qenë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, që ka kërkuar hetimin dhe dënimin e parlamentarëve që kryejnë veprime të dhunshme, apo ndezin lëndë piroteknike sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Ende nuk ka të dhëna nga SPAK nëse ka regjistruar procedimin apo dhe si do të veprimet me rastin, por deputetët e opozitës kanë theksuar se nuk tërhiqen nga protesta nëse mazhoranca nuk do të miratojë komisionet hetimore, si dhe nuk do të ndryshojë emrat që do të votojnë reformën zgjedhore.