"Përplasja në një fazë të re"/ Kikia: Nuk ka hapësirë për marrëveshje mes qeverisë dhe protestuesve

Në një lidhje direkte për Ora News, analisti Mentor Kikia komentoi zhvillimet e fundit të protestave dhe mundësinë e një dialogu mes qeverisë dhe protestuesve. Sipas tij, ndryshe nga protestat e viteve të mëparshme, situata aktuale nuk krijon hapësirë për negociata, pasi kërkesa kryesore e protestuesve është largimi i qeverisë.

Kikia krahasoi protestat e tanishme me ato kundër armëve kimike dhe me protestën e studentëve, duke vlerësuar se në ato raste kishte kërkesa konkrete për të cilat mund të zhvilloheshin bisedime.

"Protestat e mëhershme kishin kërkesa konkrete me të cilat mund të negociohej. Në këtë rast nuk ka për çfarë të negociohet. Kërkesa e parë në listë është largimi i qeverisë."-tha ai.

Sipas analistit, në këto kushte nuk ka nevojë as për grupe përfaqësimi, pasi ulja në një tryezë dialogu nuk do të ndryshonte kërkesën kryesore të protestuesve.

Ai u ndal edhe te qëndrimi i qeverisë, duke kujtuar se kryeministri ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, ndërsa situata, sipas tij, po shkon drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm.

"Deri tani kryeministri ka përjashtuar çdo mundësi për të diskutuar largimin e qeverisë. Nga dita në ditë po shohim një intensifikim të përplasjes, jo vetëm në rrugë, por edhe në forma të tjera, atë që ai e ka quajtur luftë hibride."-shtoi Kikia.

 

EMISIONET