Peleshi takon në Pentagon Sekretarin e Mbrojtjes, Austin: Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë në NATO
Krerët e mbrojtjes të SHBA-së dhe Shqipërisë u takuan të enjten në Pentagon, ku temë e diskutimit mësohet se ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe por dhe vetë i Aleancës.
Takimi mes Sekretaritë Amerikan të Mbrojtjes Lloyd J. Austin III me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi vjen në një kohë kur të dy kombet shënuan 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mbrojtëse mes tyre.
Ata folën për herë të fundit gjatë takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në bazën ajrore Ramstein javën e kaluar. Shqipëria, si një aleate e NATO-s, po ofron ndihmë për Ukrainën ndërsa vendi lufton kundër pushtuesve rusë.
“Gjatë tre dekadave të fundit, marrëdhënia jonë vetëm është thelluar. Forcat tona stërviten dhe ushtrojnë së bashku. Ata punojnë së bashku me njëri-tjetrin në operacionet e koalicionit”, tha Austin në fillim të takimit, të zbardhur nga zyra e shtypit në Pentagon.
Trupat shqiptare kanë shërbyer së bashku me forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, Kosovë, Irak dhe Letoni.
“Kohët e fundit, ne vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë dhe pritjen e Defender Europe '21”, tha Austin.
Sekretari tha gjithashtu se vlerëson që Shqipëria ka dalë vullnetare për të pritur Defender Europe '23.
“Ne po takohemi në një kohë kritike për sigurinë evropiane. Grupi i kontaktit i javës së kaluar nënvizoi rëndësinë e lëvizjes urgjente për të forcuar Ukrainën kundër agresionit rus dhe për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët”, tha sekretari.
Austin falënderoi ministrin shqiptar për ndihmën humanitare që vendi i tij po i jep Ukrainës.
Shqipëria ka vënë në dispozicion gjithashtu trupat e saj ushtarake për të forcuar mbrojtjen e NATO-s në Lindje.
Nga ana e tij ministri Peleshi i tha sekretarit Austin se vendi i tij është krenar që është një anëtar i NATO-s dhe një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa shtoi se Shqipëria dëshiron të bëjë atë që duhet.
“Ne kemi qenë shumë aktivë në misionet ndërkombëtare, misionet e NATO-s, misionet dhe operacionet e OKB-së, sepse ne duam të meritojmë të jemi aleat i aleancës së madhe dhe më të fuqishme politike”, mësohet të jetë shprehur ministri Peleshi.