"Europa kërkon çmontimin e skemave që favorizojnë pakicën"/ Tabaku pas rezolutës së PE: Të hiqet ligji për investimet strategjike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas miratimit të amendamenteve të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e lidhur qëndrimin e institucioneve europiane me ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike.
Tabaku argumenton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura krijuan mundësi që prona dhe territore me vlerë të lartë natyrore të përfitoheshin nga interesa të ngushta private. Sipas saj, disa prej përfituesve të këtyre ndryshimeve janë aktualisht nën hetim nga SPAK.
Deputetja e PD-së i referohet amendamenteve të miratuara nga Parlamenti Europian, të cilat kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024.
Në të njëjtën linjë, ajo përmend edhe kërkesat për rishikimin e ligjit për investimet strategjike, që sipas saj është shndërruar në një instrument që favorizon trajtime preferenciale dhe interesa të veçanta.
Në reagimin e saj, Tabaku e lidh procesin e integrimit europian me nevojën për reforma më të thella, institucione funksionale dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.
Sipas saj, ndërtimi i një Shqipërie europiane kërkon largimin e praktikave që kanë dëmtuar konkurrencën, ekonominë dhe besimin e qytetarëve te institucionet shtetërore.
REAGIMI I TABAKUT
Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri!
Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.
Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.
Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.
Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane.


