Orban rikthehet në Bruksel pas humbjes në zgjedhje: Nuk largohem nga politika

Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është rikthyer në Bruksel për herë të parë që nga humbja e zgjedhjeve parlamentare të prillit. Ai ka bërë të qartë se do të vazhdojë aktivitetin politik dhe qëndrimet e tij ndaj Bashkimit Europian.
Duke folur për gazetarë pranë selisë së Komisionit Europian, Orban ka thënë se qëllimi i tij ndaj BE-së mbetet i njëjtë dhe se, sipas tij, nevojiten ndryshime në mënyrën si funksionon Brukseli.
Ai ka shtuar se edhe pas humbjes në zgjedhje, në Europë po rritet mbështetja për forca politike që i quan “patriotike”, duke përmendur edhe grupin që përfaqëson partinë e tij Fidesz në Parlamentin Europian.
Në Hungari, ndërkohë, situata politike ka ndryshuar pas fitores së opozitës në zgjedhje dhe ardhjes në pushtet të Peter Magyar. Qeveria e re ka premtuar ndryshime në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, përfshirë edhe zhbllokimin e fondeve europiane dhe vendosjen e kufizimit të mandateve të kryeministrit në maksimum tetë vite.
Orban është shprehur i qetë për këto zhvillime dhe ka lënë të kuptohet se nuk e sheh si problem rikthimin e tij në postin e kryeministrit në të ardhmen.
Në vend vazhdojnë edhe debatet për hetime të mundshme lidhur me akuzat për korrupsion gjatë viteve të qeverisjes së tij, akuza që ai i ka mohuar.
Në deklarimet e tij nga Brukseli, Orban ka lënë të kuptohet se edhe pse nuk është më në krye të qeverisë, synon të mbetet aktiv në politikën europiane dhe në debatin me institucionet e BE-së.


