Pas tre vitesh në Shqipëri, Gonzato mbyll mandatin: Shqipëria është më pranë BE, faleminderit për besimin dhe rrugëtimin e përbashkët

Pas tre vitesh në Shqipëri, Gonzato mbyll mandatin: Shqipëria

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka ndarë një mesazh në përfundim të mandatit, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që po afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.

Në një postim në "X", ai ka folur për përvojën e tij trevjeçare, vlerat evropiane dhe mirënjohjen për qytetarët shqiptarë.

Gonzato shkruan se Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi. Sipas tij, ai përfaqëson njerëzit dhe vlerat e përbashkëta si liria, barazia, respekti për të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës.

Diplomati evropian shprehet mirënjohës për të gjithë shqiptarët që ka takuar gjatë tre viteve të qëndrimit në Shqipëri dhe për mundësinë që ka qenë pranë tyre në një periudhë kur vendi po i afrohet objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në mesazhin e tij, ai kujton se procesi i integrimit është udhëhequr nga kërkesa të drejta dhe të barabarta për të gjithë, me synimin për të ndërtuar një shoqëri ku secili ka mundësinë të kontribuojë, ku institucionet mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe ku të rinjtë marrin pjesë në formësimin e së ardhmes së vendit.

Gonzato falënderon kryeministrin Edi Rama për dekorimin me Yllin e Madh të Medaljes "Benemerenti", një vlerësim i dhënë në emër të Republikës së Shqipërisë.

EMISIONET