Zbulohet sekreti i suksesit të Argjentinës/ Tafaj: Skuadra mbetet pretendente kryesore falë Messit

Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë duke thyer rekorde Guinness dhe duke u konfirmuar si një ndër golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit botëror. Teksa Argjentina siguron kualifikimet e radhës në arenën ndërkombëtare, debati për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave rindizet, duke e vendosur yllin argjentinas përballë legjendave si Pele dhe Maradona.
Ndryshe nga ikonat e së shkuarës, të cilat u penalizuan nga mosaktivizimi në Evropë apo problemet jashtë fushe, jetëgjatësia e Messit në nivele të larta mbetet e paprecedentë. Edhe në prag të të dyzetave, ai vazhdon të jetë lojtari kyç dhe diferencues për skuadrën e tij. Ndërkohë që rekordet individuale të golave mund të thyhen në të ardhmen nga talente të reja si Kylian Mbappe, ndikimi i argjentinasit si lider dhe udhërrëfyes i skuadrës mbetet i pakrahasueshëm.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "ORA NEWS", gazetari, Glend Tafaj, analizoi rugëtimin e jashtëzakonshëm të kombëtares së Argjentinës dhe kapitenit të saj, Lionel Mesi. Ai theksoi se debati për lojtarin më të mirë të historisë shpesh ndahet nga brezat që kanë përjetuar epokat e Maradonës, Pelesë dhe tashmë Mesit.
Por ajo që e dallon Lionel Mesin është jetëgjatësia në nivele tepër të larta të futbollit, e cila është e paprecedentë në histori. Mesi ka thyer rekorde të panumërta, por ajo që e bën të veçantë është roli si lider dhe ndikimi te bashkëlojtarët e tij. Sekreti i suksesit të Argjentinës së sotme qëndron në kohezionin dhe kiminë e skuadrës, e cila me dëshirë sakrifikon dhe vrapon për Mesin. Ky përkushtim vjen jo vetëm për shkak të talentit të tij të pakrahasueshëm, por edhe nga ana njerëzore dhe lidershipi i shfaqur ndër vite. Tafaj shpjegoi se kthesa e madhe e këtij ekipi ndodhi me ardhjen e trajnerit Lionel Scaloni.
Pas humbjes së dhimbshme të Kupës së Amerikës përballë Kilit dhe deklaratës dëshpëruese të Mesit për t'u larguar nga përfaqësuesja, Scaloni ia doli ta rikthente. Fitorja e Kupës së Amerikës pas Covid-19 ndryshoi tërësisht mentalitetin e skuadrës, e cila tashmë, si kampione bote në fuqi, rrezaton vetëbesim dhe vazhdon të mbetet favorite absolute në çdo kompeticion.
"Cështja e lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave është edhe përjetim personal i shumë personave që kanë ndjekur futbollin, po e nis nga e fundit pra. Ata që kanë përjetuar në moshë të re Maradonën, janë të detyruar të shkojnë tek Maradona. Brezi i asaj kohe, më i vjetër, që kanë përjetuar kohën e Peles, janë të detyruar të shkojnë tek Peleja.
Unë personalisht që Maradonën dhe Pelenë nuk i kam parë duke luajtur në kohë reale, pra kam parë videot më vonë, shkoj drejt Messit. Për gjithçka që ka bërë në karrierë dhe për atë që bën në fushë ndeshje pas ndeshje, ka patur një jetëgjatësi në futboll që është e paprecedent. Pra nëse po flasim për dy ikona si Pele dhe Maradona, nuk kanë patur kaq periudhë të gjatë në nivele kaq të larta, për çështje të ndryshme.
Pele nuk ka luajtur asnjëherë në Evropë, Maradona e dimë që kishte edhe probleme... ose kishte një jetë pak jo jetë prej futbollisti po e quajmë që ndoshta e penalizoi deri diku. Ndërkohë që Messi së bashku me Ronaldon në këtë kanë diferencën, kanë një jetëgjatësi shumë në futboll. Ajo që po shfaq tani është diçka që nuk është se të befason, se Messi nuk ka se si të befasojë, por një futbollist 39-vjeçar që vazhdon të jetë lojtari më i mirë i skuadrës, që vazhdon të jetë futbollisti që bën diferencën në çdo moment, kjo është e veçantë.
Pastaj për Messin përtej rekordeve, sepse rekordet do thyhen. Qoftë edhe rekordi i më shumë golave në një botëror do thyhet shpejt besoj sepse Mbappe që është 27 vjeç është vetëm dy gola larg. Kështu që herët a vonë do thyhet dhe rekordi i Messit, por çështja është ajo që bën Messi për skuadrën është shumë e veçantë, përtej golave që shënon.
Është pikë referimi, është lider, është njeriu që udhëheq, është njeriu tek i cili kanë sytë të gjithë lojtarët e Argjentinës.
Dhe po të shikosh ndeshjet e Argjentinës, të gjithë e dinë që do vrapojnë dhe për Messin, sepse në këtë moment Messit duhet t'i shërbejë skuadrës vetëm tek pjesa ofensive, nuk duhet ta bëjë shumë pjesën difensive dhe nuk është se e ka bërë shpesh në karrierë. Duhet të vrapojë sa më pak që të jetë sa më i kthjellët në momentet kryesore që vjen puna te prapaporta apo të shpërndajë topin.
Dhe për këtë arsye të gjithë tek Argjentina e dinë që do të vrapojnë për Messin, dhe jo vetëm që e dinë, por unë kam përshtypjen që duan të vrapojnë për Messin dhe kjo është shumë e veçantë kur lojtarët e tjerë e kanë me dëshirë që të vrapojnë për kapitenin e tyre dhe në fund fare kapiteni i jep trofetë, i jep kupat, i jep fitoren."
NDIQNI INTERVSITEN E PLOTE:





