Memorandum për krijimin e operatorit të hidrokarbureve, Rama: Garantojmë rezervën strategjike të naftës

Qeveria shqiptare dhe kompania italiane e hidrokarbureve “Eni S.p.A.” nënshkruan sot në Tiranë memorandumin e mirëkuptimit për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama informoi se bëhet fjalë për krijimin e një kompanie që do të jetë një model i ri i qasjes ndaj tregut kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.

“Kujtoj se kohë parë, me fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të  krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik i cili bën në njëfarë mënyre edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe faktin se “rrugës u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës”. “Rezervat strategjike të naftës ne i kemi të rregulluara në një kuadër ligjor që me ligjin e ri të çuar përpara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet një kuadër i plotë”, shtoi Rama.

Nga ana tjetër, Rama veçoi marrëdhënien jashtëzakonisht të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me “Eni S.p.A.”, që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht ka edhe prezencën e vetë në Shqipëri prej vitit 2019.

“Ne iu qasëm ‘Enit’ për bashkëpunim strategjik në krijimin e këtij operatori të ri, i cili do të marrë përsipër edhe garantimin e rezervës strategjike të naftës”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se përmes këtij partneriteti, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara në aspektin e rezervës strategjike.

“Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjellë sot në firmosjen e këtij hapi të parë dhe zyrtarizimin e procesi të krijimit të kompanisë. Kompania është një risi, por nga ana tjetër duke pasur parasysh që kemi nga njëra anë bazën shumë solide të vetë ‘Enit’ dhe nga ana tjetër edhe dijen e ekipit drejtues të ‘Enit’ kompania ka mundësi që të bëhet një model i ri i qasjes ndaj tregut jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve”, shtoi Rama.

Sipas tij, kjo do të jetë një tjetër kompani mbi vazhdën e atyre që po krijohen me pjesëmarrjen e shtetit shqiptar.

EMISIONET