Nga Greqia në Londër, Rama takim me Sunak. Në fokus krimi dhe emigrantët e paligjshëm shqiptarë
Pas vizitës dy ditore në Athinë, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë të mërkurë drejt Londrës, atje ku do të qëndrojë 3 ditë në një vizitë zyrtare. Ai do të pritet edhe nga homologu Rishi Sunak, me të cilin do të takohet për herë të parë.
Krimi dhe emigracioni janë dy çështjet që do të diskutohen nga dy krerët e qeverive, ditën e enjte.
Në fund të takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Rama do të jetë i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Mësohet se Rama do t’u flasë britanikëve edhe në një sfond tjetër, përmes një leksioni të hapur në "London School of Economics" me shqiptaren Lea Ypi, e cila është një profesore e teorisë politike në këtë universitet.
Përplasja për emigrantët dhe kriminelët shqiptarë
Të dy krerët e qeverive kanë pasur më herët një bisedë telefonike për çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, si dhe kanë shkëmbyer replika përmes mediave ndërkombëtare.
Ministrat britanikë i quajtën shqiptarët kriminelë, ndërsa qeveria jonë e dënoi gjuhën e përdorur nga Londra zyrtare, duke i dërguar dhe një notë verbale përmes ambasadorit.
Rama e kishte quajtur diskutimin në parlamentin anglez si një dështim i brendshëm i qeverisë për të menaxhuar kufijtë e saj, ndërsa britanikët publikonin shifra duke thënë se shqiptarët kryesonin listën e atyre që futeshin në ishull me varka të vola e gomone përmes tunelit të Lamanshit.
Tashmë Rama e Sunak do të takohen sy më sy për të folur për politikat britanike të kthimit të emigrantëve të paligjshëm dhe zbatimin e një marrëveshjeje dy palëshe për riatdhesimin e tyre.
Lufta e përbashkët në luftimin e krimit të organizuar do të jetë pjesë e bisedimeve, teksa si në cdo rast, do të diskutohet forcimi i shkëmbimeve ekonomike dhe mbështetja në politikën e jashtme.
Takimi i ministrave
Në Londër prej ditesh gjendet dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili eshtë pritur nga zëvendëskryeministri, njëkohësisht Sekretar i Shtetit për Drejtësinë dhe Lordi Kancelar për Mbretërinë e Bashkuar, Dominic Raab.
Ministri Manja bëri të ditur se, gjatë takimit u diskutua për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe në fushën e ekzekutimit të vendimeve penale, e cila është në fuqi që prej vitit 2021.
Manja ndodhet për një vizitë zyrtare në Londër, ku po merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Drejtësisë, ku dhe riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar në hetimin e krimeve të luftës mbi popullsinë civile në Ukrainë në kuadrin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.