“Dikur u përgjigjesha komenteve, vetëm shtohej balta”/ Rama: Këtë vit kemi dyfishin e fituesve të Start Up

“Dikur u përgjigjesha komenteve, vetëm shtohej balta”/

Në aktivitetin “Grant 2026”, kryeministri Edi Rama foli për ecurinë e programit kombëtar të mbështetjes për start up-et, duke bërë të ditur se këtë vit është dyfishuar numri i fituesve krahasuar me vitin e kaluar.

Ai u ndal edhe te rritja e aplikimeve, pjesëmarrja e diasporës dhe ndikimi i komenteve në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, programi ka zgjeruar shtrirjen në të gjithë vendin, ndërsa është rritur edhe numri i vajzave dhe grave që kanë aplikuar për financim.

"Ne sot kemi dyfishin e fituesve të vitit të shkuar. Është me rëndësi edhe shpërndarja gjeografike, kemi aplikime nga i gjithë territori. Më vjen mirë që kemi rritjen e numrit të vajzave dhe grave. Sot janë 42 produkte të këtij programi që janë lançuar në treg dhe funksionojnë si sipërmarrje."-tha ai.

Rama vlerësoi edhe kontributin e profesionistëve shqiptarë të diasporës në programin e mentorimit, ndërsa u bëri thirrje të rinjve të mos ndikohen nga komentet fyese në rrjetet sociale.

"Mos zbrisni te komentet, janë jopërfaqësuese. Algoritmi ka kaluar në fazë histerie. Dikur u përgjigjesha komentuesve, por kuptova se vetëm rritej sasia e baltës që më kthehej mbrapsht. Nuk zbres më nën postime për të parë çfarë thuhet."-shtoi Kryeministri.

Rama kujtoi se programi i Start Up financohet nga buxheti i shtetit dhe synon të mbështesë zhvillimin e sipërmarrjeve të reja në vend.

EMISIONET