LLOGARITË POLITIKE/ Reforma territoriale, betejë për kufijtë apo për qeverisjen

LLOGARITË POLITIKE/ Reforma territoriale, betejë për kufijtë

Reforma territoriale në Shqipëri ka rifilluar të jetë në qendër të debatit publik dhe politik. Por, siç ndodh shpesh me çështjet madhore të shtetit, edhe kësaj radhe, diskutimi rrezikon të mbetet peng i interesave elektorale, në vend që të shërbejë si platformë për ndërtimin e një qeverisjeje vendore funksionale për qytetarët, e drejtë dhe afatgjatë.

Pas eksperimentit të vitit 2014, i cili solli ndarjen e re në 61 bashki duke shkrirë mbi 300 komuna, me ndryshimet e këtij viti, shqetësimi është jo vetëm sa bashki duhen, por çfarë qeverisjeje vendore duhet dhe si mund ta përmirësojë jetën e qytetarëve në zonat e largëta të vendit që po braktisen me shpejtësi.

Tani, kur drafti i qeverisë dhe opozitës është në fazë konsultimi me komunitetet, ekspertët e pavarur bëjnë thirrje për maturi përtej interesave politike.

Afrim Krasniqi, nga Instituti për Studime Politike (ISP), thotë se këtë herë debatit për reformën i mungon ekspertiza ndërkombëtare, ndryshe nga 2014-a, pasi reforma po bëhet nën presionin e kohës. “Si ISP kemi parë modelet europiane dhe reforma të tilla marrin 2-5 vjet debat, te ne palët duan ta bëjnë brenda pesë muajsh.

Qoftë edhe ky detaj i rëndësishëm tregon se reforma mbetet e brishtë dhe nuk siguron se mund të jetë më funksionale sesa ajo që eksperimentuam”, tha ai.

Në thelb, vende si Shqipëria kanë vështirësi në kulturë politike dhe burime njerëzore për reforma të mëdha, kjo u pa edhe në Reformën në Drejtësi, por duhej të kishim disa kritere dhe standarde të qëndrueshme, si Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera rajonale të matshme me ne.

Partia Socialiste, në variantin e saj për reformën, që tani është në fazë konsultimi, synon të mbajë ndarjen aktuale territoriale duke rishikuar funksionet e financimet sipas meritës dhe jo sipas nevojave që kanë realisht komunitetet.

Propozimi i opozitës, sipas bashkëkryetarit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, bazohet në ndarje krejt të re me më shumë se 92 bashki, duke marrë në konsideratë katër kritere kryesore. Kriterin demografik, ku llogaritet një masë minimale popullsie që siguron funksionalitetin, por pa e bërë atë absolut në zonat e thella.

Kriterin ekonomik dhe fiskal, që analizon nëse zona ka burime të veta, potenciale zhvillimi në bujqësi, turizëm, pyje e pasuri natyrore. Kriterin e aksesit të qytetarit te shërbimi, duke parandaluar rastet ku qytetari humb një ditë pune për një certifikatë apo licencë dhe kriterin e identitetit territorial e përfaqësimit historik të zonave që u fshinë në vitin 2014.

Gerta Loku, anëtare e Këshillit Bashkiak në Mirditë dhe blegtore, propozon që një përqindje e konsiderueshme e fitimeve nga burimet natyrore pranë komuniteteve lokale t’i kalojë drejtpërdrejt bashkisë.

Ajo kërkon që fondet të mos shpërndahen vetëm mbi bazën e numrit të popullsisë, por të llogariten edhe metrat katrorë të territorit nën menaxhim. Kjo do të siguronte infrastrukturë dhe shërbime jetike si dritat dhe rrugët edhe për zonat me rënie drastike demografike.

Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, ofron një qasje më strukturore dhe institucionale, duke propozuar krijimin e një niveli të dytë funksional të vetëqeverisjes vendore, siç është rajoni apo qarku me kompetenca reale.

Ai argumenton se sistemi aktual i kufizuar vetëm në nivel bashkish është i cunguar dhe i fragmentuar, pasi bashkitë sillen si njësi të izoluara pa koordinim rajonal.

Z. Bjanku propozon që ky nivel i ndërmjetëm të ketë autoritet ligjor, instrumente financiare dhe legjitimitet për të ndërtuar politika zhvillimi në shkallë më të gjerë, duke integruar sektorët e infrastrukturës, e turizmit dhe mjedisit.

Sipas Gent Kapratës, profesor urbanist, çështja kryesore e reformës nuk duhet të jenë vetëm kufijtë, por çfarë funksionesh, kompetencash, burimesh dhe përgjegjësish do të ketë niveli vendor. Numri i bashkive nuk duhet të jetë pikënisja e reformës, por përfundimi logjik i saj, i dalë nga analiza e funksioneve që çdo nivel qeverisjeje duhet të kryejë.

Propozimi i mazhorancës, konsolidimi funksional

Qëndrimi zyrtar dhe varianti kryesor i propozuar nga mazhoranca qeverisëse, e përfaqësuar nga Partia Socialiste, bazohet plotësisht në ruajtjen e strukturës aktuale me 61 bashki. Qeveria fokusohet tërësisht te konsolidimi i tyre funksional dhe institucional, duke përjashtuar çdo lloj ndryshimi të hartës gjeografike apo të ndarjeve të reja territoriale.

Përmes këtij varianti, qeveria ka mbrojtur ndarjen e realizuar në vitin 2014, duke argumentuar se kthimi pas ose copëtimi i mëtejshëm i bashkive do të sillte rritje të pashmangshme të kostove administrative dhe do të dëmtonte eficiencën e menaxhimit të përgjithshëm të territorit. Sipas platformës së qeverisë, harta aktuale u jep mundësi reale bashkive të kenë një masë kritike popullsie dhe burimesh për të ofruar shërbime publike cilësore.

Propozimi i qeverisë ka në fokus një reformë të thellë strukturore dhe financiare brenda sistemit ekzistues dhe kategorizimit të 61 bashkive ekzistuese, duke u bazuar tek ecuria e tyre financiare dhe menaxhuese.

Sipas këtij plani, bashkitë që performojnë mirë dhe tregojnë qëndrueshmëri do të marrin më shumë autonomi vendimmarrëse, ndërsa ato njësi që shfaqin probleme financiare apo borxhe të larta do të kalojnë nën monitorim të qeverisë dhe do t’u nënshtrohen planeve të rrepta të riorganizimit.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e variantit të qeverisë është decentralizimi financiar i orientuar nga performanca fiskale. Kjo nënkupton ofrimin e një asistence të shtuar dhe të posaçme për të gjitha ato bashki të vogla që nuk sigurojnë dot të ardhura të mjaftueshme nga mbledhja e taksave lokale.

Qeveria propozon rishikimin e formulës së grantit të pakushtëzuar që jepet nga buxheti i shtetit, me qëllim që të ndihmohen zonat më të prapambetura të vendit, pa pasur nevojë që ato të ndahen në njësi administrative më vete apo të krijojnë zyra të reja administrative.

Digjitalizimi i shërbimeve lokale dhe nxitja e shërbimeve ndërbashkiake përbëjnë një tjetër aks strategjik të mazhorancës. Qeveria synon shmangen e burokracisë përmes kalimit të shërbimeve lokale në platforma digjitale si e-Albania.

Në të njëjtën kohë, promovohet koncepti i shërbimeve të përbashkëta ndërbashkiake, siç është menaxhimi i mbetjeve urbane apo menaxhimi i ujësjellësve në nivel qarku ose rajoni, duke përfshirë edhe konceptin e bashkëmenaxhimit me privatët.

Sipas propozimit të mazhorancës, kjo do të bëjë që bashkitë e vogla të përfitojnë drejtpërdrejt nga ekonomia e shkallës, pa pasur nevojë të ndryshojnë kufijtë e tyre elektoralë apo administrativë. Qeveria synon mbajtjen e 61 bashkive, por me një reformë të thellë në menaxhim, financim dhe digjitalizim.

Burimi: Ministria e Financave

Propozimi i opozitës: Rishikim rrënjësor i hartës dhe i funksioneve

Platforma politike dhe teknike e Partisë Demokratike për reformën e re territoriale propozon qasje krejtësisht të ndryshme, duke synuar shtimin e numrit të bashkive në 92 të tilla ose më shumë dhe rikthimin e disa ish-komunave apo zonave rurale si njësi më vete.

Bashkëkryetari i reformës, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, sqaron me detaje se kjo platformë nuk është ndërtuar mbi një prag mekanik të thjeshtë që bazohet vetëm mbi numrin e banorëve, pasi Shqipëria nuk paraqet një territor uniform. Një zonë malore, kufitare apo rurale nuk mund të matet kurrsesi me të njëjtin kut si një zonë urbane pranë Tiranës, Durrësit apo Fierit.

Opozita merr në konsideratë katër kritere kryesore shkencore dhe sociale për të vendosur vijën e re ndarëse.

Kriterin demografik, ku llogaritet një masë minimale popullsie që siguron funksionalitetin, por pa e bërë atë absolut në zonat e thella.

Kriterin ekonomik dhe fiskal, që analizon nëse zona ka burime të veta, potenciale zhvillimi në bujqësi, turizëm, pyje e pasuri natyrore për të mos qenë vetëm një zyrë pagash.

Kriterin e aksesit të qytetarit te shërbimi, duke parandaluar rastet ku qytetari humb një ditë pune për një certifikatë apo licencë, dhe kriterin e identitetit territorial e përfaqësimit historik të zonave që u fshinë në vitin 2014.

Mbi këtë bazë analitike, Partia Demokratike ka ndërtuar tri alternativa konkrete për zhvillimin e reformës.

Alternativa e parë fokusohet te rikthimi i afërsisë dhe përfaqësimit te qytetari, gjë që parashikon rritjen e numrit të bashkive në të gjitha ato zona ku ka një mungesë të theksuar shërbimesh.

Kjo alternativë vendos si kritere që distanca të jetë mbi 15-20 kilometra nga qendra e bashkisë, e shprehur në kohë rreth 30 minuta udhëtim, si dhe një popullsi prej 4000-6000 banorësh në zonat fushore dhe 1500 banorësh në ato malore, sipas standardit europian.

Kjo alternativë rikthen shërbimet bazë dhe frenon shpopullimin pa krijuar kosto të larta nëse shoqërohet me rishpërndarje funksionesh.

Alternativa e dytë propozon një hartë të re funksionale, duke kombinuar krijimin e bashkive të reja me një rishpërndarje të funksioneve në qarqe. Kjo qasje hibride krijon bashki të reja aty ku ka boshllëk shërbimesh dhe rishpërndan funksionet strategjike si planifikimi, mjedisi dhe emergjencat në nivel qarku, duke nxitur një autonomi fiskale të rritur për bashkitë e reja.

Alternativa e tretë parashikon decentralizimin real, që përfshin krijimin e bashkive të reja të shoqëruara me ndërtimin e 6 deri në 8 rajoneve të mëdha, ose duke ruajtur 12 qarqet aktuale me funksione të kufizuara.

Në këtë skenar, bashkitë marrin shumicën e kompetencave, ndërsa rajoni apo qarku kufizohet vetëm në tri funksione të qarta: planifikim territorial, koordinim emergjencash dhe projekte ndërbashkiake.

Propozimi synon që rajonet të jenë niveli i dytë i qeverisjes vendore, me buxhet të vetin të siguruar nga transfertat e shtetit, të ardhurat kombëtare të ndara dhe fondet europiane.

Burimi: Ministria e Financave

Reforma që kërkojnë këshilltarët bashkiakë nga terreni

Përfaqësuesit e këshillave bashkiakë i kanë analizuar sfidat e qeverisjes lokale dhe reformës që duhet kryer nga këndvështrimi gjeografik.

Gerta Loku, anëtare e këshillit bashkiak në Mirditë dhe blegtore, vë theksin te nevoja urgjente për të rishikuar ndarjen e përfitimeve nga pasuritë natyrore ujore dhe minerale me pushtetin vendor dhe komunitetet lokale. Ajo propozon që një përqindje e konsiderueshme e fitimeve nga këto burime t’i kalojë drejtpërdrejt bashkisë, duke ndalur praktikën ku pothuajse çdo gjë përfundon në pushtetin qendror.

Sipas saj, zonat që mbajnë barrën e prodhimit të energjisë elektrike apo të shfrytëzimit nëntokësor, duhet të kenë përparësi ekonomike.

Një propozim specifik i saj lidhet me çmimin e energjisë, ku banorët e zonave burimore duhet ta paguajnë atë më pak se konsumatorët e tjerë, si një formë dëmshpërblimi për ndikimet mjedisore si mjegulla e krijuar nga liqenet artificiale.

Znj. Loku kërkon gjithashtu rritjen e rentës minerale, duke argumentuar se shfrytëzimi i nëntokës në Mirditë, Bulqizë apo Martanesh duhet të përkthehet në mirëqenie lokale dhe jo në shifra qesharake për buxhetet e bashkive.

Një pikë tjetër e rëndësishme e propozimit të saj është ndryshimi i formulës së financimit nga pushteti qendror. Ajo kërkon që fondet të mos shpërndahen vetëm mbi bazën e numrit të popullsisë, por të llogariten edhe metrat katrorë të territorit nën menaxhim.

Kjo do të siguronte infrastrukturë dhe shërbime jetike si dritat dhe rrugët edhe për zonat me rënie drastike demografike, duke parandaluar kthimin e tyre në zona fantazmë. Nëse do të rikrijoheshin komunat apo njësitë administrative, ajo propozon që ato të kenë pavarësi dhe fuqi të plotë ekonomike për të shmangur varësinë totale nga kryetari i bashkisë qendrore.

Nga ana tjetër, Florian Bjanku, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, ofron një qasje më strukturore dhe institucionale, duke propozuar krijimin e një niveli të dytë funksional të vetëqeverisjes vendore, siç është rajoni apo qarku me kompetenca reale. Ai argumenton se, sistemi aktual i kufizuar vetëm në nivel bashkish, është i cunguar dhe i fragmentuar, pasi bashkitë sillen si njësi të izoluara pa koordinim rajonal.

Z. Bjanku propozon që ky nivel i ndërmjetëm të ketë autoritet ligjor, instrumente financiare dhe legjitimitet për të ndërtuar politika zhvillimi në shkallë më të gjerë, duke integruar sektorët e infrastrukturës, turizmit dhe mjedisit.

Përmes rastit të Shkodrës, ai ilustron se territore të mëdha hibride nuk mund të menaxhohen në mënyrë efektive pa një strukturë koordinuese që unifikon strategjitë e turizmit nga Alpet në bregdet dhe menaxhon sisteme mjedisore si Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna.

Në kuadër të integrimit europian, z. Bjanku propozon që organizimi territorial të përshtatet me logjikën e politikave të kohezionit të Bashkimit Europian, të cilat bazohen te koncepti i rajonit si hapësirë funksionale.

Kjo strukturë e re rajonale do të mundësonte përthithjen efektive të fondeve europiane, si programet IPA të bashkëpunimit ndërkufitar, duke krijuar projekte të mëdha e të integruara me Ulqinin apo Podgoricën, në vend të nismave sporadike e të fragmentuara. Ai gjithashtu propozon rritjen e rolit të vetëqeverisjes vendore për të frenuar tendencën e centralizimit të menaxhimit të fondeve nga pushteti qendror.

Në dimensionin politik dhe kushtetues, z. Bjanku hedh idenë e rajoneve me drejtues të zgjedhur dhe kompetenca të qarta ekzekutive. Ai thekson se reforma nuk duhet të jetë vetëm një proces teknik i rishpërndarjes së kufijve në hartë, por një rishikim i thellë i strukturës së pushtetit.

Për të garantuar që ndryshimi të mos jetë vetëm në funksion të balancave elektorale apo avantazheve politike të momentit, ai propozon përfshirjen sistematike dhe të strukturuar të aktorëve lokalë, ku përfshihen universitetet, ekspertët vendas, përfaqësuesit e biznesit dhe vetë komuniteti, duke siguruar që vendimmarrja të mos mbetet një projekt i imponuar ekskluzivisht nga lart-poshtë./ Monitor

EMISIONET