Tatimet kompensojnë 10.4 milionë euro detyrime të falura

Tatimet kompensojnë 10.4 milionë euro detyrime të falura

Administrata Tatimore kreu kompensimin automatik të tepricës kreditore të detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesve, në kuadër të zbatimit të ligjit për faljen e detyrimeve tatimore.

Sipas njoftimit zyrtar, vlera totale e kompensimit arriti 10,4 milionë euro, duke përfshirë 13,408 tatimpagues përfitues dhe 86,773 transaksione të kryera në mënyrë automatike.

Administrata Tatimore bëri të ditur se procesi është pjesë e masave të parashikuara në ligjin për faljen e detyrimeve tatimore dhe synon të lehtësojë barrën financiare të mijëra tatimpaguesve, pa qenë e nevojshme paraqitja e aplikimeve apo ndjekja e procedurave shtesë administrative.

Ndërkohë, që prej datës 10 qershor 2026 ka nisur edhe zbatimi i skemës së faljes me kusht të detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave.

Për detyrimet që i përkasin periudhës 2015-2019, tatimpaguesit përfitojnë fshirjen e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, në rast se pjesa e mbetur prej 50% paguhet njëherësh brenda afatit nga 10 deri më 30 qershor 2026.

Po për të njëjtën periudhë, parashikohet fshirja e 25% të detyrimit principal dhe fshirja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 75% e mbetur e detyrimit paguhet deri më 31 dhjetor 2026.

Ndërsa për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2020-2024, ligji parashikon fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesit të shlyejnë 100% të detyrimit principal deri më 31 dhjetor 2026.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve dhe tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre tatimore në sistemin e-Filing dhe të kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara, për të përfituar nga lehtësitë e ofruara nga ligji. 

EMISIONET