Kuvendi refuzoi heqjen e imunitetit/ Kreu i SPAK: Hetimet vijojnë, në një moment do të ketë vendimmarrje
Çështja që lidhet me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku ishte një nga temat për të cilat u pyet kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.
Deputeti Ivi Kaso kërkoi të dinte nëse vendimi i Kuvendit për të mos miratuar heqjen e imunitetit të Ballukut ka ndikuar në hetimet e SPAK dhe në ecurinë e ndjekjes penale.
Sipas Kaso-s, hetimet kanë vijuar, ndërsa pozita procedurale e Ballukut dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje është ndryshuar gjatë procesit hetimor.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se përse SPAK nuk i është drejtuar sërish Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit.
"A është dëmtuar ndjekja penale për rastin Balluku? Hetimet kanë vazhduar dhe pozita procedurale e saj është rënduar. Ju ende sot nuk i jeni drejtuar Kuvendit me kërkesë të re për heqjen e imunitetit. Si duhet interpretuar kjo?"-pyeti deputeti Kaso.
Në përgjigje, kreu i SPAK, Klodian Braho, u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka vijuar punën e saj pavarësisht vendimit të Kuvendit, ndërsa nuk dha detaje për shkak se bëhet fjalë për një çështje konkrete nën hetim.
"Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Sot nuk mund të vlerësoj qëndrimin e Kuvendit për vendimmarrjen. Nuk mund të them detaje konkrete, është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrje përkatëse."-u shpreh kryeprokurori.
Braho shtoi se qëndrimi i SPAK pas vendimit të Kuvendit është bërë i qartë gjatë diskutimeve të zhvilluara me dyer të mbyllura.
"SPAK e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit."-tha ai.


