Wadephul viziton Finlandën për të diskutuar sigurinë dhe mbështetjen për Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul do të zhvillojë sot dhe nesër një vizitë në Finlandë, ku do të diskutojë sigurinë rajonale dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, në sfondin e tensioneve të vazhdueshme me Rusinë.
Wadephul do të takohet me homologen e tij finlandeze, Elina Valtonen, në Helsinki.
Në qendër të bisedimeve pritet të jenë situata e sigurisë përgjatë kufirit Finlandë-Rusi dhe mbështetja për Ukrainën.
Vizita e Wadephul në Finlandë, vjen pas udhëtimit të tij në rajonin Arktik të Norvegjisë.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, dy ministrat do të vizitojnë sot një anije të rojës kufitare, ndërsa nesër do të udhëtojnë drejt kufirit mes Finlandës dhe Rusisë.
Kufiri prej më shumë se 1,300 kilometrash mes Finlandës dhe Rusisë është vënë nën masa të shtuara sigurie, që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Pas anëtarësimit të Finlandës në NATO në prill 2023, ai është bërë kufiri tokësor më i gjatë i aleancës me Rusinë.
Finlanda mbylli pikat kufitare tokësore me Rusinë në dhjetor 2023, duke akuzuar Moskën se po i dërgonte emigrantët drejt kufirit për të destabilizuar vendin.
Në qershor, Helsinki vendosi t’i mbajë ende të mbyllura pikat kufitare, duke vlerësuar se rreziku i përdorimit të emigracionit, si mjet presioni vazhdon të jetë i pranishëm.
Mbyllja nuk përfshin kufijtë ajrorë dhe detarë. Finlanda ka raportuar gjithashtu shtim të rasteve kur dronë ukrainas kanë rënë aksidentalisht në territorin e saj, megjithatë autoritetet finlandeze theksojnë se aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak.


