15 Korriku, Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve

Më 15 korrik shënohet Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2014, me synimin për të theksuar rëndësinë e pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.
Tema e këtij viti është “Aftësi për një të ardhme të përbashkët” dhe përqendrohet në nevojën për programe inovative që u mundësojnë të rinjve të zhvillojnë jo vetëm aftësi teknike dhe digjitale, por edhe njohuri mbi inteligjencën artificiale, tranzicionin e gjelbër, si dhe kompetenca sociale, emocionale dhe qytetare.
Sipas OKB-së, në një botë ku tregu i punës po ndryshon me shpejtësi, fuqizimi i të rinjve me aftësi të gjithanshme është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Sipas të dhënave të OKB-së, 273 milionë fëmijë dhe të rinj nuk ndjekin shkollën. 1 në 5 individë të moshës 15-24 janë të papunë, të paarsimuar dhe të patrajnuar, (përqindja më e madhe vajza e gra të reja). Ndërkohë që 40% e aftësive të të rinjve nuk përshtaten më me kërkesat e tregut të punës.
Sipas OKB-së, 22% e vendeve të punës do të transformohen deri në vitin 2030 për shkak të teknologjisë, ndërkohë që 86% e studentëve nuk janë ende të përgatitur për një vend pune të mundësuar nga inteligjenca artificiale.

