ÇËSHTJA "ARUBA"/ Kaso: Kush janë politikanët që morën pjesë në takim? Braho: Do ketë akuzë kur të gjenden provat
Krimi zgjedhor ishte në fokus të diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, ku kreu i SPAK Klodian Braho, u përball me pyetjet e deputetit Ivi Kaso lidhur me veprimtarinë e institucionit dhe trajtimin e dosjeve që lidhen me proceset zgjedhore.
"Krimi zgjedhor është një fenomen që është shqetësues dhe neve na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen që është krijuar brenda një viti apo brenda dy vjetësh, por ka një periudhë të gjatë kohore."-tha Braho.
Duke iu përgjigjur diskutimeve për një standard të dyfishtë në trajtimin e rasteve që përfshijnë përfaqësues të forcave të ndryshme politike, kryeprokurori u shpreh se hetimet nuk bazohen te perceptimet apo qëndrimet politike, por vetëm te provat që gjenden në dosje.
"Çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Pa prova nuk mund të ngrihen as akuza dhe as mund të dërgohen çështjet. Unë nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë midis përfaqësuesve të njërës palë apo të palës tjetër."-theksoi ai.
Sipas tij, çdo person që rezulton i përfshirë në veprime të paligjshme dhe për të cilin ekzistojnë prova të mjaftueshme, do të përballet me përgjegjësi ligjore, pavarësisht përkatësisë politike.
"Nga ana jonë ne nuk nisemi nga perceptimet, nisemi nga ajo që ka dosja. Nëse dosjet kanë provat e nevojshme, kushdo që të jetë, nga secila anë të jetë, do të mbajë përgjegjësi për atë veprim që ka kryer."-shtoi ai.
Gjatë diskutimit u prek edhe një kërkesë e paraqitur nga SPAK në Kuvend, për të cilën kreu i Prokurorisë së Posaçme nuk dha detaje, duke argumentuar se bëhet fjalë për një çështje konkrete që lidhet me një proces në vijim.
"Nuk mund të komentoj sot një çështje konkrete. Prokuroria e ka pasqyruar në atë diskutim me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë edhe reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes."-u shpreh Kryeprokurori.
Kreu i SPAK la të hapur mundësinë që në një fazë të mëvonshme, në varësi të zhvillimit të hetimeve, të ketë vendimmarrje të reja për çështjet që janë ende nën shqyrtim.


