HAPET SHKOLLA KOMBËTARE E FLUTURIMIT/ Kryeministri Rama zbulon planin për Shkollën e Forcave Speciale
Shkolla Kombëtare e Fluturimit u hap zyrtarisht për të shënuar një etapë të re në modernizimin e Forcës Ajrore Shqiptare dhe në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit, sipas standardeve të NATO-s.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, theksoi synimin për ta shndërruar atë në një qendër ekselence për përgatitjen dhe certifikimin e pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit.
"Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës nëse ka interes për të stërvitur këtu dhe për të certifikuar këtu pilotët e ardhshëm të Republikës së Kosovës, si dhe për dy vendet e tjera fqinje që janë gjithashtu anëtare të NATO-s."-tha Rama.
Kreu i qeverisë zbuloi se helikopterë “Black Hawk” amerikanë do t’i shtohen së shpejti flotës ajrore.
"Të gjithë helikopterët e forcave tona ajrore janë në punë. Ndërkohë po punohet edhe për të shtuar kapacitetet për sezonin dhe, nga ana tjetër, me aktin e ri normativ të qeverisë, një numër tjetër helikopterësh “Black Hawk” nga Shtetet e Bashkuara do t’u shtohen këtyre forcave. Shqipëria do të bëhet vendi ku kapaciteti i helikopterëve, qoftë luftarakë, qoftë për emergjenca civile, do të jetë ndër më të spikaturit e rajonit."-u shpreh ai.
Kryeministri paralajmëroi edhe planet për hapjen për herë të parë të një Shkolle Kombëtare për Forcat Speciale.
"Përsëri me partnerët tanë të “Elbit Systems”, jemi në diskutime për të sjellë këtu një nga ekselencat botërore të stërvitjes, trajnimit, edukimit dhe certifikimit të forcave speciale nga Izraeli. Shkolla Kombëtare e Forcave Speciale do të jetë e hapur edhe për të tjerët dhe do të mirëpresë kadetë nga vendet aleate të rajonit, duke filluar nga Kosova, por edhe më gjerë."-theksoi ai.
Qeveria miratoi të martën një akt normativ për të rritur në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto buxhetin për mbrojtjen. Sipas angazhimeve të NATO-s dhe kërkesave të përcaktuara në samitet e fundit, vendet anëtare synojnë të arrijnë 5% të GDP-së për mbrojtjen deri në vitin 2035.


