Atentati ndaj Trump/ Raporti nxjerr në pah mungesë koordinimi dhe dështime operacionale

Atentati ndaj Trump/ Raporti nxjerr në pah mungesë koordinimi dhe

Një raport i ri i Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS) ka evidentuar dështime të shumta operacionale dhe organizative të Shërbimit Sekret të SHBA-së, të cilat sipas dokumentit krijuan kushtet që mundësuan tentativën për atentat ndaj Donald Trump më 13 korrik 2024 në Butler të Pensilvanisë.

Gjatë një mitingu elektoral, Donald Trump u plagos në vesh nga një plumb, ndërsa një pjesëmarrës humbi jetën. Autori i sulmit u neutralizua më pas nga një snajper i policisë.

Raporti vlerëson se ngjarja mund të ishte shmangur, por mungesa e procedurave të qarta, koordinimi i dobët dhe komunikimi i paefektshëm mes agjencive të sigurisë çuan në mosreagim në kohë.

Sipas hetimit, autori i sulmit, Thomas Matthew Crooks, ishte vërejtur mbi çatinë e një ndërtese me një pushkë rreth dy minuta përpara se të hapte zjarr ndaj Trump. Ky informacion nuk iu përcoll në kohë ekipit përgjegjës për sigurinë e tij.

Pesë gjetjet kryesore të raportit
1. Droni nuk u zbulua
Sulmuesi kishte fluturuar një dron për rreth nëntë minuta mbi zonën e aktivitetit disa orë para sulmit pa u identifikuar. Sistemi kundër dronëve kishte mangësi teknike dhe mungesë trajnimi, ndërsa pësoi edhe defekt gjatë operimit.

2. Mungesë e qendrës së përbashkët të komunikimit
Shërbimi Sekret dhe policia lokale nuk krijuan një strukturë të unifikuar komunikimi. Si pasojë, u humbën mbi 100 komunikime radio dhe nuk u transmetua në kohë informacioni për një person të armatosur mbi çati.

3. Informacioni i inteligjencës nuk u shpërnda
Të dhëna të klasifikuara për një kërcënim serioz ndaj Trump nuk u dërguan në zyrat lokale të sigurisë, duke bërë që të mos kërkohej shtim i masave mbrojtëse.

4. Mangësi në sigurinë jashtë perimetrit
Koordinimi me autoritetet lokale ishte i kufizuar dhe nuk u sigurua kontroll i plotë i ndërtesave përreth zonës së aktivitetit, duke lënë hapësira të pambrojtura.

5. Nuk u bllokua fusha e shikimit drejt skenës
Pavarësisht identifikimit të rrezikut nga një vijë e drejtpërdrejtë shikimi drejt skenës, nuk u vendosën masa për ta penguar, duke i dhënë sulmuesit një pozicion të hapur.

Raporti përfundon me disa rekomandime për forcimin e sigurisë në aktivitetet publike, përfshirë përmirësimin e trajnimeve kundër dronëve, rritjen e koordinimit me autoritetet lokale dhe forcimin e kontrolleve për eliminimin e vijave të rrezikshme të shikimit.

Shërbimi Sekret i SHBA-së ka pranuar rekomandimet dhe ka nisur zbatimin e tyre.

EMISIONET