Protestë, përplasje dhe arrestime/ Alibeaj: Ndryshimi politik vjen vetëm përmes zgjedhjeve të lira!

Enkelejd Alibeaj, deputet i Partisë Demokratike, komentoi në një intervistë për “Ora News” protestat qytetare dhe kërkesat e tyre, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë politik mund të vijë vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe me kushte të barabarta për të gjithë.

Sipas Alibeajt, një nga kërkesat kryesore të platformës së protestuesve lidhet me reformimin e procesit zgjedhor, pasi vetëm përmes votës mund të zëvendësohet klasa e vjetër politike me alternativa të reja. Ai theksoi se zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të financuara në mënyrë të barabartë dhe pa privilegje për partitë që janë në pushtet.

Deputeti kritikoi ashpër ligjin për financimin e partive politike, duke pretenduar se marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste favorizon dy forcat kryesore politike. Sipas tij, 80% e fondeve publike për partitë do të përfitohen nga këto dy subjekte, duke e bërë thuajse të pamundur konkurrencën për forcat e reja politike.

Alibeaj deklaroi se, sipas tij, mes kryeministrit dhe ish-kryeministrit ekzistojnë marrëveshje që shërbejnë për ruajtjen e status quo-së politike, ndërsa lëvizjet e reja pengohen të fitojnë terren. Ai shtoi se kërkesat e protestuesve përfshijnë edhe barazinë para ligjit, duke argumentuar se pushteti aktual është mbështetur në aleanca me krimin dhe se mekanizma si imuniteti parlamentar janë përdorur për të mbrojtur zyrtarët nga drejtësia.

Në analizën e tij, Alibeaj i ndau kërkesat e protestës në tre shtylla kryesore: dorëheqjen e kryeministrit, ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për garantimin e zgjedhjeve të lira, përfshirë qeverinë teknike, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit. si dhe reforma afatgjata, mes tyre vendosja e kufirit prej dy mandatesh për postin e kryeministrit.

Enkelejd Alibeaj: Një nga kërkesat që ka dalë, po themi, nga pesë kërkesat e platformës, unë parapëlqej ta quaj platformë ,nga ana e protestës apo lëvizjes qytetare është ajo që ka të bëjë me procesin zgjedhor dhe është logjike. Sepse duhet të biem dakord që ndryshimet politike edhe ndryshimet e sistemit politik, me fjalë të vjetra të largohet kasta e vjetër politike dhe të vijë diçka e re ndryshe, mund të kalojnë vetëm nëpërmjet votës.

E kjo është një çështje që nuk negociohet. E në këtë pikë është fare normale e logjikshme që kushdo që ka një aspiratë dhe kërkon, siç edhe protesta, siç edhe lëvizja kërkon që të ikë e vjetra e të vijë e reja, po e bëj shumë të varfër si analizë, do të kalojë në një proces zgjedhor i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë, i financuar në mënyrë të tillë që të mos ketë privilegje për ata që janë në pushtet dhe sakrifica për ata të cilët nuk janë ose aspirojnë të futen në politikë.

Ndaj nëse e keni vënë re, një nga kërkesat është dhe ajo që ka të bëjë me ligjin për financimin e partive politike. E mora këtë si shembull për faktin se 30 e ca ditë më parë, pra para se të fillonin protestat, çuditërisht, çuditërisht jo e gjatë sepse kanë rënë gjithmonë dakord në pazare, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, Edi Rama dhe Sali Berisha, ranë dakord për të bërë një ligj për financimin e partive, i cili ju garantonte atyre që nga 100% e parave të buxhetit të shtetit, të shqiptarëve, që u jepen partive politike, 80% t'i merrnin këta të dy.

E mora këtë si shembull për të treguar që është e qartë që midis të vjetrës, midis Berishës dhe Ramës, ka gjithmonë pazare, aleanca, koalicione edhe okulte, për ta mbajtur me forcë pushtetin, kur them pushtetin edhe njëri edhe tjetri. Dhe t'ua bëjnë gjithmonë e më të vështirë daljen, rritjen, penetrimin e lëvizjeve të reja politike. Jo vetëm kaq, por se kanë kërkuar edhe disa kërkesa të tjera që kanë lidhje me procesin zgjedhor, për shembull barazia para ligjit.

Sot e din fare qartë, është e provuar që të paktën pushteti aktual vjen në pushtet, domethënë e rimerr pushtetin për të katërtën herë, në një aleancë të ngushtë me krimin. E ndërkohë që në luftën midis drejtësisë dhe pushtetit, në këtë rast, pushteti, mazhoranca në këtë rast e ka operuar gjithmonë mbrojtjen që Kushtetuta jep, po flas për imunitetin. Edhe në rastin e zotit Zbaluku.

Pra, shihni, janë disa elementë të domosdoshëm që kanë nevojë për të krijuar kushte barazie për episodin e radhës të zgjedhjeve kurdo ato që të jenë.

Në qoftë se do të bëja një, nëse ma lejon një shumë shkurt, një analizë të kërkesave të lëvizjes, mund t'i ndajmë në tre elementë. Momenti i parë dhe momenti aktual është dorëheqja e kryeministrit. Një moment i dytë është ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë lidhje me krijimin e një atmosfere ligjore, po jo vetëm të kushteve të barabarta në zgjedhje, qeveria teknike, ajo që sapo thamë, çështja e kodit zgjedhor, sistemi zgjedhor tek e fundit, e me radhë.

Dhe momenti i tretë, grupi i tretë i kërkesave janë ato të cilët kanë të bëjnë përtej. Vendosja e dy mandateve për kryeministrin eventual, pra ndryshimi kushtetues.

EMISIONET