PD çon në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për komisionet hetimore për AKSHI-n dhe rrugët

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit, i cili rrëzoi kërkesën për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, një për kontratat e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe një tjetër për funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas opozitës, vendimi i Kuvendit pengon ushtrimin e një prej mekanizmave kryesorë të kontrollit parlamentar, siç janë komisionet hetimore, të cilat lidhen me transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
Kërkesa e dorëzuar në Kushtetuese është firmosur nga 46 deputetë të opozitës.
Në të argumentohet se Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën duke mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore për çështjet e kërkuara.
Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë mbi ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit.


