Marrëveshje Shqipëri-Kosovë në Tiranë/ Takim me ministren Ibrahimaj dhe Hoti, synohet rritja e punësimit dhe kualifikimi i fuqisë punëtore

Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës pritet të kenë më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional pas marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Tiranë mes dy qeverive.
Dokumenti synon të lehtësojë punësimin mes dy vendeve, të rrisë mobilitetin e fuqisë punëtore dhe të forcojë bashkëpunimin në fushën e aftësimit dhe formimit profesional.
Marrëveshja u firmos nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkëpunimi parashikon krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, si dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për punësimin, aftësimin dhe formimin profesional.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ibrahimaj tha se marrëveshja është një instrument konkret që afron më tej Shqipërinë dhe Kosovën në politikat e tregut të punës.
Ajo shtoi se përmes kësaj marrëveshjeje do të afrohen tregjet e punës, do të përmirësohen shërbimet për qytetarët dhe do të mbështeten bizneset që kanë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Edhe ministri Andin Hoti vlerësoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm për krijimin e më shumë mundësive që qytetarët e të dy vendeve të përfitojnë nga shërbimet dhe programet në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në praninë e zëvendësministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve zbatuese të të dy vendeve. Para firmosjes, delegacionet zhvilluan edhe një takim dypalësh.


