Isabelle Adjani dënohet në Paris / 10 muaj burg me kusht dhe gjobë për evazion fiskal

Aktorja franceze Isabelle Adjani është dënuar nga Gjykata e Apelit në Paris me 10 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, pas akuzave për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Gjykata e shpalli aktoren fajtore, duke e reduktuar ndjeshëm dënimin në krahasim me vendimin e shkallës së parë, ku në vitin 2023 ajo ishte dënuar me dy vjet burg me kusht dhe 250 mijë euro gjobë.
Sipas vendimit, Adjani është akuzuar për deklarim të rremë të vendbanimit në Portugali gjatë viteve 2016–2017, fshehje të një kredie në vitin 2013 dhe transferim të parave jashtë Francës në vitin 2014.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili nisi në prill, aktorja mohoi akuzat, duke pretenduar se ishte viktimë e mashtrimeve financiare dhe se nuk kishte aftësi për të menaxhuar çështjet e saj tatimore. Ajo deklaroi gjithashtu se ishte “e paaftë për të organizuar një mashtrim tatimor”.
Avokati i saj, David Lepidi, e cilësoi dënimin të reduktuar ndjeshëm dhe bëri të ditur se do të apelojë vendimin në gjykatën e kasacionit, pavarësisht lehtësimit të masës së dhënë nga gjykata.
Prokuroria, ndërkohë, argumentoi se aktorja duhet të kishte deklaruar të ardhurat në Francë, pasi interesat e saj financiare ndodheshin kryesisht aty, pavarësisht qëndrimeve të saj të herëpashershme në Portugali.


