Shfuqizohet Bordi i Trasparencës/ Sefa: Eshtë një vendim i cili ka ardhur koha që të merrej, mund të merrej edhe pak më përpara!
Qeveria ka vendosur të shkrijë përfundimisht Bordin e Transparencës për karburantet, një vendim i lajmëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Ky hap vjen pas rënies së çmimeve të hidrokarbureve në tregjet globale, të diktuara edhe nga luhatjet e marrëveshjeve ndërkombëtare mes SHBA-së dhe Iranit, të cilat ende mbajnë tregjet nën një presion të vazhdueshëm.
I ftuar në një intervistë për “ORA NEWS”, ekonomisti, Ergis Sefa, theksoi se institucionet shtetërore tani kanë një barrë edhe më të madhe për të garantuar konkurrencën e ndershme dhe për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimet që kanë karakterizuar këtë sektor ndër vite.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës. Sefa shpjegon se pavarësisht një stabilizimi momental të çmimit të naftës në rreth 75.5 dollarë për fuçi, ky nivel është sërish rreth 20% më i lartë në krahasim me gjashtë muaj më parë. Kjo rritje ndikon drejtpërdrejt në sektorë jetikë si bujqësia, transporti dhe tregtia e mallrave, duke sjellë për qytetarët shqiptarë një kosto jetese më të lartë, fenomen i konfirmuar edhe nga raportet e fundit të Bankës së Shqipërisë.
"E qartë. Është një vendim i cili ka ardhur koha që të merrej, ndoshta mund të merrej edhe pak më përpara, por gjithsesi është lajm i mirë që është marrë, sepse tregu duhet të jetë i lirë në pjesën e vendosjes së kërkesë-ofertës dhe mbi të gjitha duhet që tashmë shteti të kalojë në një fazë tjetër, ose qeveria më saktë të kalojë në një fazë tjetër, ku të sigurojë sa më shumë konkurrencën nëpërmjet aktorëve të tregut.
Sepse për sa kohë që kemi një bord, dihet që është i përkohshëm dhe kemi në njëfarë mënyre një rregullim të imponuar i cili nuk mund të zgjasë pafundësisht. Nga ana tjetër, nëse kthehemi në status quo, në normalitet, do të duhet që të garantojmë konkurrencën, cilësinë dhe mbi të gjitha për konsumatorët të garantojmë çmimin më të mirë të mundshëm.
Dhe këtu gjithashtu ka një rol të rëndësishëm edhe strukturat qeveritare qoftë edhe pa bord transparence. Dhe ky është gjithë meraku i madh, që tashmë që mbaroi pjesa e bordit, a do të mundet, a do ta vazhdojnë strukturat qeveritare po të njëjtën mbikëqyrje, po të njëjtën vëmendje ndaj këtij tregu, apo do ta lënë pre të spekulimeve siç ka qenë ndër vite.
Të mos harrojmë që megjithë deklarimin dhe firmosjen paraprake të marrëveshjes mes Iranit dhe SHBA-ve dje, tregjet shkuan në njëfarë stabilizimi momental dje, por gjithsesi në minimumin e tyre arritën në 75.5 dollarë amerikanë për fuçi. Është një rënie shumë e madhe krahasimisht me 100-shen që ishim mësuar, por duhet të bëjmë një krahasim tjetër.
Krahasimi është që në fillim të këtij viti, pra 5 muaj më parë ishte 62-63. Tashmë në minimumin, edhe pse kemi një stabilitet të ri, jemi në 75. Pra jemi rreth 20% brenda 6 muajve".
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE



