NBA teston revolucionin në Summer League: Një gjuajtje e lirë dhe top me sensor në lojë

NBA do të testojë dy risi të mëdha gjatë Summer League, me synimin për të përshpejtuar ritmin e lojës dhe për të modernizuar vendimmarrjen në fushë.
Liga amerikane e basketbollit ka njoftuar se në ndeshjet e zhvilluara në Kaliforni, Salt Lake City dhe Las Vegas do të provohet rregulli i ri i “vetëm një gjuajtje të lirë”, si dhe përdorimi i një topi të pajisur me sensor të brendshëm.
Sipas rregullit eksperimental, çdo faull që normalisht do të sillte një, dy ose tre gjuajtje të lira do të zëvendësohet me vetëm një tentativë të vetme, e cila do të ketë vlerën e plotë të pikëve. Për shembull, një faull gjatë një gjuajtjeje për tri pikë do të rezultojë në një gjuajtje të vetme që vlen tre pikë. Ky sistem nuk do të aplikohet në dy minutat e fundit të ndeshjes dhe në kohën shtesë.
Paralelisht, NBA do të testojë edhe një top me sensor të integruar, i cili do të ndihmojë në përcaktimin më të saktë të prekjeve të fundit të topit dhe situatave kur ai del jashtë vijave të fushës, duke reduktuar nevojën për rishikime të gjata me video.
Sipas ligës, teknologjia e re nuk ndikon në peshën apo ndjesinë e topit, por synon të rrisë saktësinë dhe shpejtësinë e vendimeve të gjyqtarëve.
Summer League vazhdon të shërbejë si laborator për ndryshime të mundshme në NBA, ku më parë janë testuar dhe më pas janë miratuar rregulla që tashmë janë pjesë e sezonit zyrtar.


