"Europa kërkon mbrojtjen e Vjosë-Nartës"/ Bardhi: PE i jep të drejtë qytetarëve që protestojnë për zonat e mbrojtura

"Europa kërkon mbrojtjen e Vjosë-Nartës"/ Bardhi: PE i

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas miratimit të amendamenteve në Raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke argumentuar se qëndrimi i eurodeputetëve përputhet me kërkesat e qytetarëve që prej ditësh protestojnë kundër ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Bardhi shprehet se Parlamenti Europian kërkon shfuqizimin e dispozitave të ligjit të ndryshuar për zonat e mbrojtura, në përputhje me rekomandimet e mëparshme të institucioneve europiane dhe me kriteret e Kapitullit 27 për mjedisin.

Sipas amendamentit të miratuar, Parlamenti Europian shpreh shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, duke vlerësuar se ato tregojnë pasojat konkrete të ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që mund të sjellin për zonat me vlera të rëndësishme ekologjike.

Dokumenti bën gjithashtu referencë ndaj protestave paqësore të zhvilluara në lidhje me këtë çështje dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në rishikimin e plotë të dispozitave që konsiderohen të papajtueshme me standardet europiane.

Në amendament kërkohet që çdo projekt i planifikuar në këto zona t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis, sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe me pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Bardhi kujton se projektligji për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është depozituar në Kuvend prej më shumë se një muaji dhe pret shqyrtimin dhe votimin nga deputetët.

EMISIONET