Deputetja Koçeku akuzon Bajrat për k*rcënim/ Blushi: Kjo tregon krizën e sigurisë dhe shtetit ligjor
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas deklaratave të deputetes Marjana Koçeku lidhur me kërcënimet që, sipas saj, kanë ardhur pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Në një postim në Facebook, Blushi e konsideron rastin si një ngjarje që ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe funksionimin e shtetit ligjor në vend.
Sipas tij, nëse një deputete e Kuvendit ndjehet e kërcënuar, atëherë lindin pikëpyetje edhe për sigurinë e qytetarëve të zakonshëm që shprehin qëndrime kritike ndaj qeverisë.
Blushi argumenton se rasti i Koçekut është tregues i një situate të rënduar politike dhe institucionale, duke ngritur dyshime mbi aftësinë e shtetit për të garantuar mbrojtje dhe siguri për të gjithë.
Në reagimin e tij, ai lidh këtë ngjarje me mënyrën e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për krijimin e një klime ku, sipas tij, presioni dhe frikësimi po zënë vend në jetën publike dhe politike.
Blushi u bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë për të kërkuar largimin e kryeministrit, duke e cilësuar këtë si një nevojë për rikthimin e sigurisë, llogaridhënies dhe funksionimit normal të shtetit.


