"Kërcënimet, të papranueshme!" - Berisha mbështetje deputetes Koçeku, akuza Shefes së SHISH-it

Sali Berisha akuzoi nga mbledhja e grupit parlamentar kryeministrin Edi Rama për sulm ndaj protestuesve të Zvërnecit dhe i doli në mbrojtje deputetes Marjana Koçeku pas denoncimit të saj për kërcënime. Kryedemokrati kritikoi gjithashtu ndërtimin e kullave, kërkoi hetime për çështjen e “Arubës” dhe u bëri thirrje studentëve e pedagogëve të mbështesin protestat kundër qeverisë.

"Kërcënimet, të papranueshme!" - Berisha

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike para seancës plenare të së enjtes, Sali Berisha kritikoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Berlin, duke i cilësuar si sulm ndaj protestës qytetare në vend, të cilën kryedemokrati e mbështet.

Kreun e qeverisë e akuzoi për kërcënim të protestuesve, ndërsa edhe më i ashpër ishte ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni.

Në ditën kur deputetja Marjana Koçeku denoncoi kërcënime, Berisha i doli në mbrojtje publike ligjvënëses tashmë të pavarur.

Në një kohë kur operacionet e SPAK kanë zbuluar raste të pastrimit të parave të drogës në sektorin e ndërtimit, Berisha kritikoi ngritjen e kullave, duke i cilësuar ato dëshmi të korrupsionit të qeverisë.

Ai kërkoi që Komisioni i Ligjeve të thërrasë në raportim ish-kreun e SPAK, i cili sipas tij ka fshehur emrat e zyrtarëve në të ashtuquajturin takimi i Arubës me trafikantë të narkotikëve.

Më herët, në një takim me studentë dhe pedagogë, Berisha kërkoi mbështetje për protestën qytetare, nga e cila pret si efekt rrëzimin e qeverisë.

EMISIONET