Ekspertja e IT-së: Ja si ushtritë partiake po manipulojnë algoritmin për të shuar protestën e të rinjve në rrjetet sociale

Protesta masive që pushtoi rrugët dhe rrjetet sociale mori një hov të jashtëzakonshëm në ditët e para falë Gjeneratës Z. Përmes sarkazmës, memet dhe pankartave virale, të rinjtë arritën të tërheqin vëmendjen e mbarë opinionit publik.
Megjithatë, ditët e fundit, influencues dhe përdorues të rrjeteve kanë denoncuar një rënie drastike të shikueshmërisë (reach-it) për postimet lidhur me protestën, duke ngritur hije dyshimi për një censurë të fshehtë digjitale.
Nadia Elbasani, ekspertja e IT-së në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se ky bllokim i papritur nuk është domosdoshmërisht një rastësi. Duke qenë se kjo protestë shënjestron të gjithë klasën politike pa dallim partiak, ndodh që simpatizantët dhe makineritë e propagandës online të partive po kundërpërgjigjen duke hapur profile të rreme masive dhe duke prodhuar përmbajtje pa fund.
Ky fluks i qëllimshëm postimesh e “konfuzon” algoritmin e platformave si Instagram dhe TikTok, i cili nuk di cilin përmbajtje të favorizojë më parë. Për pasojë, videot autentike të protestuesve humbasin shikueshmërinë dhe mbyten në detin e informacioneve alternative.
Por prapaskenat janë edhe më të thella. Një tjetër element i errët në këtë histori lidhet me marrëveshjen e fshehtë mes shtetit shqiptar dhe rrjetit social TikTok. Pas një bllokimi të përkohshëm të këtij rrjeti në vend, u zhvilluan negociata për vendosjen e filtrave të rinj të komunikimit.
Elbasani theksoi faktin shqetësues se këto kushte nuk janë bërë asnjëherë publike, duke ngritur pyetje thelbësore: a janë përfshirë në këtë marrëveshje kushte për ndryshimin e algoritmeve apo censurimin e zërave kritikë në kohë trazirash sociale?
Këshilla kryesore për protestuesit për t'i mbijetuar këtij kufizimi artificial është të rrisin në maksimum kreativitetin e tyre digjital, si e vetmja mënyrë për ta mbajtur algoritmin aktiv dhe për të mos lejuar që kauza e tyre të shuhet nga makineritë e propagandës online.
PJESË NGA BISEDA
Si paraqitet kontenti dhe shikueshmëria në rrjetet sociale për këtë protestë?
Atëherë, që në fillim, pra ditët e para u pa diçka ndryshe për sa i përket kësaj lloj proteste që kishte marrë një jehonë shumë të madhe në rrjetet sociale. Gjenerata Z kishte gjithë kreativitetin e saj në këtë lloj proteste, me pankartat, me memet, të cilat për hir të vërtetës për shkak të sarkazmës që kishin në to, krijoi shumë sensacion. Normalisht u pompua edhe në rrjetet sociale edhe më shumë akoma dhe u dha mesazhi që kjo gjeneratë edhe vetë protestuesit kërkonin që të jepnin në formën, unë mendoj, në formën më qytetare të mundshme, në formën më kreative të mundshme, që ishte përmes pankartave të cilat kishin thashë elementin e sarkazmës, të cilat e bën që gjithçka të bëhej virale. Sarkazma është një nga ato elementë që përdoret shpesh për të shënjestruar diçka e cila nuk shkon apo diçka që kërkohet të tërhiqet vëmendja. Nuk ka qenë vetëm Shqipëria, sarkazma të tilla janë përdorur kudo. Në Francë po ashtu, unë nuk dua të përmend ngjarje tragjike, po Charlie Hebdo për shembull ka qenë një nga ato raste ku për shkak të sarkazmës që revista në fjalë bënte, u pati dhe një ngjarje tragjike. Kështu që sarkazma është një nga ato elementë që tërheq vëmendje dhe domosdoshmërisht tërhoqi vëmendje edhe në këtë protestë, vetëm se në formën sigurisht më qytetare të mundshme.
Si qëndron e vërteta e debatit për rënien e shikueshmërisë? Ose më saktë si ecin algoritmet në rastin konkret për protestën flasim?
Atëherë, fillimisht po e nis nga funksioni i algoritmit. Qëllimi i tij është që të krijojë sa më shumë ndërveprim mes përdoruesve të një aplikacioni. Dhe kjo funksionon për të gjitha, pothuajse për të gjitha aplikacionet njësoj. Pra detyra në thonjëza e algoritmit është që të mbajë sa më gjatë të jetë e mundur përdoruesin në aplikacion...
U hodh një akuzë ditët e fundit që postimet rreth protestës nuk kishin të njëjtën shikueshmëri si ditët e para...
Do duhet të shihen disa arsye pse mund të ketë ardhur kjo ngjarje po themi, nëse është reale dhe nga se. Dhe normalisht nëse do të isha në vendin e tyre do të bëja disa testime të thjeshta për të parë nëse ka një ndikim të jashtëm apo është thjesht rënie e algoritmit në kuptimin e kohës. Atëherë, ka diçka. Mos harroni që në këtë protestë ishin një grup i madh njerëzish të cilët ishin kundër një klase të tërë politike. Që do të thotë pa asnjë lloj dallimi politik edhe partiak. Dhe normalisht...
Vijojnë e janë ende në shesh...
Po patjetër. Dhe mos harroni që kur ky grup i madh njerëzish merr këtë lloj vëmendje dhe shënjestron të gjitha palët politike, padyshim që nga krahu tjetër ka edhe simpatizantë të secilës palë, të cilët për të mposhtur këtë lloj masiviteti që kishin marrë në rrjetet sociale të rinjtë, Gjenerata Z dhe të gjithë protestuesit që vazhdojnë janë në shesh, normalisht mundet që të krijojnë profile të tjera me qëllim...
Për të goditur?
Jo, me qëllim për të krijuar kontent. Dhe ky kontent futet në një rrjet, po themi Instagram apo TikTok, dhe algoritmi më pas nuk arrin dot të kuptojë se cilën do duhet të pompojë më shumë, por u jep të gjithave dhe duke qenë se krijohet një masivitet postimesh, nuk merr më të njëjtën shikueshmëri si ditët e para një video e protestës. Mbase unë do të këshilloja që të rritet edhe më shumë akoma kreativiteti. Pra duke qenë se protesta po zgjat, kreativiteti do të duhet të mbahet në të njëjtin nivel me ditët e para me qëllim që të mos kemi ulje të shikueshmërisë së videove të tilla. Pra kjo do të ishte mënyra e duhur sepse për të kaluar tek rënia e algoritmit është e vështirë që ta vërtetojmë në kuptimin personal, mundet që të vërtetohet përmes sigurisht AKEP-it nëse ka apo jo profile që... dhe marrëdhënieve që ata kanë me aplikacionet e tjera për të parë nëse ka patur apo jo një shtim të profileve të krijuara rishtazi ditët e fundit. Vetëm në këtë lloj forme mund të kuptosh se çfarë ka ndodhur konkretisht me shqetësimin e disa influencuesve në Instagram apo TikTok.
Këtë ne e bëjmë vetë individualisht apo duhet një ekspert për të parë dhe nëse ato postime nuk po ecin ashtu?
Atëherë në kuptimin individual maksimumi që një influencer mund të bëjë është që të bëjë një krahasim dhe të shohë nëse me IP-në vendase apo duke përdorur një VPN tjetër ka diferenca në shikueshmëri. Kjo është e para që mund të bëjë një person, po, individualisht. Ndërsa për një studim më të gjerë normalisht që kërkohet edhe bashkëpunime pak më të mëdha mes instancave shtetërore dhe vetë aplikacioneve dhe pyetjeve që mundesh t'i drejtohesh. Unë në fakt në këtë lloj rasti, më shumë sesa për shqetësimin në fjalë, desha që vëmendja të kthehej tek diçka tjetër. Që është TikTok-u. Në Shqipëri pati një bllokim të TikTok-ut për të gjithë përdoruesit pa përjashtim moshe për një afat kohor prej një viti. Dhe u tha që kemi patur një negociatë me kompaninë në fjalë, pra TikTok-un, për ta rikthyer me një tjetër politikë për sa i përket postimeve dhe mënyrës...
Të kishte disa filtra deri diku...
Filtra të mënyrës së komunikimit. Marrëveshja apo negociata kur u përfundua nuk është bërë ende publike nga asnjëra palë, pra as nga shteti shqiptar, as nga kompania TikTok. Mendoj që është momenti i duhur që pikërisht këtë lloj problematike ta ngremë në këtë moment. Pra përpos diskutimit rreth algoritmit dhe a është apo jo reale akuza... reale është marrëveshja që është kryer, sepse ne na u rikthye TikTok-u dhe kjo marrëveshje do të duhej të ishte bërë publike për shkak të sensibilitetit që përdorimi i këtij aplikacioni ka në Shqipëri. Dhe në atë marrëveshje ne mund të shohim nëse ka terma të tillë si ndryshimi i algoritmit për shembull, apo cilët kanë qenë filtrat që TikTok-ut i janë vendosur që nga momenti që u rikthye në Shqipëri.
Dhe a ka masa nga Facebook-u, TikTok, Instagram kur shikon ndoshta edhe kur ka përmbajtje jo të pëlqyeshme?
Kur ka përmbajtje të papëlqyeshme, pra përmbajtje dhune, fjalë banale e të tjera me radhë... Unë po ndalem tek ato që realisht janë filtrat të Metës, pra të siç ne i themi Instagram edhe Facebook, ku fjalë të caktuara bllokohen. Sidomos kur janë në gjuhë të huaj që filtrat janë edhe më të theksuar edhe më rigorozë
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË




