EKSKLUZIVE/ Ky është momenti i përplasjes tragjike të mjetit lundrues me skafin e policisë në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari
Një aksident i rëndë detar është regjistruar mbrëmjen e sotme në Gjirin e Ksamilit, ku sipas informacioneve paraprake një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës.
Ora News ka siguruar pamjet e aksidentit të rëndë, ku si pasojë e përplasjes dyshohet se një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë mund të kenë mbetur të plagosur.
Viktima është Albiano Kreçi, 20 vjeç, banor i Ksamilit. Forca të shumta policie dhe shërbimet e emergjencës janë angazhuar në zonë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

