“DELPHI 2023, World Affairs”, Rama: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, në pikun e tyre
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë janë në pikun e tyre.
Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik “DELPHI 2023, World Affairs”, që po zhvillohet në Athinë, Rama tha se “po punojmë shumë ngushtë me njëri-tjetrin dhe ka shumë devotshmëri dhe gatishmëri për të bërë më shumë gjëra së bashku”.
“Ekziston fryma që gjithsesi marrëdhëniet ndërmjet popujve janë kaq të mira sa në fund të ditës politikanët duhet të përshtaten, në kuptimin që nuk mund dhe nuk duhet që të jenë pengesë në një moment që marrëdhëniet mes popujve janë fantastike”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “që prej disa vitesh tashmë në qeverisjen e lidershipit Micotaqis, Greqia është kthyer përsëri në rajon dhe kjo ka qenë një zhvillim pozitiv për ne”.
“Ne mund të punojmë më mirë tani për shkak se Greqia është një partner i rëndësishëm dhe strategjik kur flitet për negociatat me Bashkimin Europian. Ka qenë një mbështetje shumë e fortë për ne, por ka qenë gjithashtu mbështetje shumë e fortë edhe për Maqedoninë e Veriut, kjo pasi të dy vendet zgjidhën problemin që kishin me emrin apo çështje të tjera të lidhura me të”.