Nga Unaza e Bjeshkëve te rijetëzimi i kullave shekullore, Sinamati shpalos programin për Kukësin dhe apelon qytetarët: Mos e shisni votën!
Koalicioni Bashkë Fitojmë garon në bashkinë e Kukësit për zgjedhjet e 14 majit me ekspertin mjeko-ligjor dhe kërkimi shkencor Dr.Shk. Admir Sinamati.
Në një intervistë me skype për Rtv Ora ai shpalosi programin e tij për zhvillimin e qytetit.
"Bizneset e reja që do mundësojnë krijimin e mbi 25 vendeve të reja të punës vitin e parë do të kenë tarifa dhe taksa vendore zero. Kukësi ka nevojë për projekte afatgjata zhvillimore dhe të qëndrueshme. Nuk mund të kemi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm nëse nuk do ta bëjmë të askesueshme çdo pëllëmbë territori në Kukës. Një nga propozimet tona është ndërtimi i rrugëve kryesore për të lidhur të gjithë akset e njësive administrative me rrugët nacionale".
Një nga premtimet e tij është edhe ndërtimi i Unazës së Bjeshkëve.
"Unaza e Bjeshkëve lidh fshatrat nga Kolosjani deri në Novesej. Përshkon aksin më të bukur dhe mahnitës. Përmes ndërtimit të kësaj unaze, kësaj rruge turistike do të mundësohet që përveçse aksesimit të bjeshkëve për turizëm ditor mund të krijohen hapësira për ndërtimin e pikave të ndryshme turistike, fshatrave turistike".
E ndërsa fokusi mbetet turizmi, një tjetër projekt i tij është rijitezimi i kullave të vjetra shekullore.
"Një nga punët që na presin është kthimi i kullave tipike karakteristike të Lumës në bujtina ose vende pelegrinazhi, vende ku bëhet turizëm ditor ose vizita turistike për të parë mënyrën si janë ndërtuar. Zona jonë ka kulla 200-300 vjeçare. Kanë nevojë për rijetëzim. Së paku çdo fshat të ketë një bujtinë apo kullë karakteristike për turistët".
Ai përgenjështroi pretendimin e qeverisë se ka investuar në Kukës 100 mln euro gjatë katërvjeçarit të fundit.
"Pretendohet se në Kukës për katër vite ajnë investuar nga qeveria shqiptare 100 mln euro, një mashtrim. 100 mln euro do të kishin ndryshuar katërcipërisht jetën e qytetarëve. Investimet e bëra janë me karakter fasadash. Nuk ka pasur projekte zhvillimore. Ka investime në rrugë me karakter elektoral".
Teksa denoncoi tentativën për blerje votash nga kundërshtari politik ai pati një thirrje për qytetarët e Kukësit.
"Kemi sinjalizime të përditshme. Kundërshtarët tanë janë gjetur në braktisje nga elektorati dhe e vetmja formë për të rezistuar në këtë proces elektoral është shitblerja e votës. U kemi bërë thirrje të vazhdueshme kundërshtarëve dhe banorëve. Rezistenca e qytetarëve është e fortë. Janë të bindur se çfarëdo lloj pagese nuk e justifikon sundimin dhe për katër vite të tjera. Ripërsëris thirrjen ndaj qytetarëve të Kukësit: Bojkotojeni, distancohuni, mos bini pre e shitjes së votës tuaj. Vota juaj është investim katërvjeçar dhe jo ditor".